Aktuale

“Ishte i dehur, nuk i dha ndihmë fëmijëve”/ Gjykata e Durrësit rindërton dinamikën e aksidentit tragjik në Durrës

Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik është zbardhur në detaje nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka rindërtuar dinamikën e aksidentit tragjik të ndodhur më 3 maj në lagjen nr. 15.

Sipas prokurorisë, drejtuesi i mjetit, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe duke lëvizur me shpejtësi, ka humbur kontrollin e automjetit tip “Mercedes Benz”, duke dalë mbi trotuar dhe duke përplasur tre të mitur.

Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, Kles Nikolli, 9 vjeç, dhe Enea Muçaj, 12 vjeç, të cilët humbën jetën në vend. Ndërsa fëmija i tretë, 8-vjeçari Arbjon Meslani, ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Hetimet tregojnë se pas aksidentit, automjeti është përplasur edhe me një mjet tjetër të parkuar, ndërsa drejtuesi nuk ka ndaluar për t’u dhënë ndihmë të miturve, por është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai u ndalua më vonë nga policia në një rrugë pranë zonës.

Testet e alkoolit, të kryera rreth një orë pas aksidentit, konfirmuan nivel të lartë alkooli në gjak, me 0.73 mg/l në matjen e parë dhe 0.70 mg/l në të dytën. Ndërkohë, ai ka rezultuar negativ për përdorim të lëndëve narkotike.

Gjatë deklarimeve, Radaçi ka pretenduar se devijoi për të shmangur një automjet që doli papritur në rrugë, por sipas prokurorisë, kjo nuk justifikon shkeljet e rënda të konstatuara.

Ndaj tij janë ngritur tre akuza: shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit.

Pas paraqitjes së provave nga prokurorja e çështjes, Anila Bebeci, Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke vlerësuar rrezikshmërinë e lartë të autorit dhe pasojat e rënda të ngjarjes.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera për të dokumentuar plotësisht këtë tragjedi.

Të Ngjashme