Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Athinë, ku një shqiptar u gjet i plagosur me armë zjarri, brenda makinës së tij.
Sipas mediave greke, i plagosur ka mbetur Helis Cato, 38 vjeç, banues në lagjen nr.1 të Sarandës. Ai rezulton person i shpallur në kërkim nga policia greke, pas goditjes së një grupi kriminal të tregtimit të kokainës në qershor të këtij viti, në një operacion ku u sekuestruan dhe armë zjarri.
Në prangat e forcave speciale greke në qershor, ranë 9 persona dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë, mes tyre edhe Cato. Bëhet fjalë për 11 shqiptarë e 3 grekë në total.
Nga ana tjetër, policia greke ka arritur të vendosë në pranga 2 shtetas, konkretisht dy të mitur, shqiptarin Flavio Keqi 16 vjeç dhe grekun Ioannis Karikis 16 vjeç.
Ata mësohet se ndodheshin në shoqërinë e viktimës në momentin e ngjarjes dhe më pas kanë tentuar të largohen e për këtë janë arrestuar për “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”.
Mbrëmjen e djeshme 38-vjecari Cato është qëlluar dy herë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, pranë kishës në lagjen “Kolono” të Athinë. Pasi është goditur me një plumb, Cato ka arritur të shkojë drejt mjetit të tij, i cili ndodhej parkuar rreth 150 metra më larg, ku dhe u gjet nga policia. Ai mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
