Me thirrjen “Me Arlindën përfundoni”, qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në qendër të Prishtinës në protestën gjithëkombëtare kundër vrasjes së grave. Protesta u thirr pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Marshi nisi në orën 12:00 pranë Katedrales “Nënë Tereza”. E organizon Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili u kishte bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet që t’i bashkohen.
Ndërsa protestuesit po mblidheshin, u lëshua incizimi në të cilin Arlinda Zekaj dëgjohet duke kërkuar ndihmë në stacionin policor në Pejë, ka raportuar Klan Kosova. Sipas protestuesve, suspendimet e deritanishme nuk mjaftojnë. Ata kërkojnë shkarkime dhe ndjekje penale për të gjithë ata që nuk arritën ta mbrojnë.
Gjashtë kërkesa, nga prokuroria te Qeveria
Organizatorët kanë dalë me gjashtë kërkesa ndaj institucioneve. E para është shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, i prokurores së rastit Suada Rama Hamza, i kryetarit të gjykatës Shemsedin Haxhiaj, i gjykatësit Migjen Kastrati, i ushtrueses së detyrës së drejtores së Qendrës për Punë Sociale Shpresa Lukaj dhe i togerit Faruk Muqolli. Kërkesa vlen edhe për çdo zyrtar tjetër të përfshirë në rast.
Protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kërkesat e tjera janë që vrasja e grave të shpallet urgjencë kombëtare dhe që shteti të sigurojë banim social për të mbijetuarat e dhunës në familje. Kërkohet gjithashtu veting i pavarur dhe apartiak në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Java e dytë e mobilizimit
Protestat për Arlindën kanë hyrë në javën e dytë. Të enjten, në ditën e nëntë radhazi, aktivistet ndërprenë qarkullimin në rrugën pranë Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë. Përveç kryeqytetit, protesta dhe marshime janë mbajtur edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog. Këtë javë kryeprokurori i shtetit, Zejnulla Gashi, i priti në zyrën e tij aktivistet që kërkonin takim lidhur me rastin.
Si u vra Arlinda Zekaj
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kishte raportuar në Polici dhunën në familje. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Ministria e Drejtësisë, më 10 korrik ajo kishte denoncuar në Polici dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti. Më 7 shtator iu drejtua Gjykatës Themelore në Pejë për urdhër emergjent mbrojtjeje. Po atë ditë i dërgoi gjykatës një mesazh, ku shprehte frikën se jeta e saj ishte në rrezik. Më 16 tetor gjykata urdhëroi kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin, pranë djalit të saj. Kërkesat e saj për zbatimin e këtij vendimi mbetën pa zgjidhje.
Dorëheqje në krye të Policisë, ministrat mbesin në detyrë
Pas vrasjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje, të cilën kryeministri Albin Kurti e pranoi. Janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, si dhe prokurorë që u morën me rastin.
Ministrja Gërvalla dhe ministri Sveçla e refuzuan dorëheqjen në konferencën për media të 30 tetorit. Gërvalla tha se dokumentacioni i siguruar deri atëherë nxirrte në pah mangësi serioze dhe vonesa. Ajo theksoi se “Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim”, sepse institucionet kishin marrë sinjale të qarta për rrezikun ndaj jetës së saj.
Ministrja ngriti edhe pyetjen nëse mosveprimet mund të shpjegohen vetëm me neglizhencë, apo ka pasur ndikime nga qarqe politike ose kriminale. Sipas saj, dorëheqja nuk do të ndihmonte në identifikimin më të shpejtë të përgjegjësve. Ajo kërkoi t’i lejohet të vazhdojë punën për t’i adresuar ata, dhe tha se pas kësaj mund të diskutohet sërish çështja e dorëheqjeve.
Sveçla deklaroi se e kupton zemërimin e protestuesve, por nuk beson se largimi i tij do ta sillte ndryshimin e kërkuar. Dorëheqjen e dy ministrave e kanë kërkuar edhe PDK-ja dhe Aleanca.
Komisioni hetimor pa raportet e ministrive
Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt u mblodh të premten me dyer të mbyllura për mediat. Para kësaj anëtarët e tij debatuan për raportet që nuk ishin dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Raportet e të dyja ministrive i janë dërguar Zyrës së Kryeministrit më 29 tetor. Kryeministri Kurti është zotuar se do t’i publikojë.
Protesta në Prishtinë është ende në vazhdim. Bota Sot do të vazhdojë ta përcjellë.
