Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe vigjilencë të qytetarëve, në prag të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Islami ka theksuar se, më pak se 48 orë para shpalljes së vendimit, “makineria propagandistike dhe shërbimet inteligjente serbe (BIA) dhe të tjera” janë vënë në lëvizje.
“Përmes medieve dhe rrjeteve sociale, po përhapen deklarata bombastike dhe lajme të rreme për trazira të trilluara në Kosovë. Ky inskenim, i shoqëruar me stërvitjet e fundit të ushtrisë serbe afër kufirit tonë, është një luftë e pastër hibride që do të dështojë përballë pjekurisë së popullit tonë”, ka thënë Islami.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe informacioneve të rreme që, sipas tij, synojnë përhapjen e panikut.
“Bashkëpunimi dhe besimi juaj te institucionet tona janë mburoja më e fortë e Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Policia e Kosovës janë në gatishmëri të plotë, të forta dhe të pathyeshme”, ka shtuar Islami.
Ai ka thënë se çdo tentativë e agjenturave të huaja apo elementeve destabilizuese për të provokuar dhe cenuar rendin kushtetues “do të neutralizohet në mënyrë të menjëhershme”, ndërsa ka vlerësuar se siguria e Kosovës është e pacenueshme dhe e garantuar.
