Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në sistemin financiar, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe reformat në fushën e pagesave.
Sipas njoftimit të BQK-së, Ismaili e ka informuar ambasadorin Malaj për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar në Kosovë, avancimin e mbikëqyrjes financiare dhe përafrimin e kornizës ligjore e rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet BQK-së dhe Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe edukimit financiar.
Guvernatori Ismaili ka prezantuar gjithashtu reformat për modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe integrimin e Kosovës në sistemet evropiane.
Në këtë kuadër, ai ka folur për proceset që lidhen me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta dhe projektin TIPS Clone, të cilat, sipas BQK-së, synojnë pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.
Pjesë e diskutimit kanë qenë edhe mbrojtja e konsumatorit, edukimi financiar, rritja e qasjes në shërbime financiare dhe siguria kibernetike në kushtet e zhvillimeve digjitale.
Nga ana e tij, ambasadori Petrit Malaj e ka përgëzuar guvernatorin Ismaili për reformat dhe aktivitetet e ndërmarra nga BQK-ja, ndërsa ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë.
Në përfundim të takimit, palët kanë rikonfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të zhvillimit dhe integrimit të sistemeve financiare të Kosovës dhe Shqipërisë.
