Lajme

Italia miraton ndalimin e burkës në shkolla dhe kufizon numrin e nxënësve të huaj

Këshilli i Ministrave i Italisë miratoi të enjten një dekret për arsimin që ndalon mbulimin e fytyrës, përfshirë burkën dhe nikabin, në shkolla dhe vendos një kufi prej 30 për qind për disa nxënës të huaj në klasat e vitit të parë.

Dekreti ndalon pjesëmarrjen në aktivitetet mësimore dhe jashtëmësimore të shkollës, si dhe në aktivitetet mes shkollës dhe familjes, me fytyrën të mbuluar në mënyrë që pengon identifikimin, përveç rasteve të caktuara shëndetësore ose të sigurisë.

Shkeljet mund të dënohen me gjoba administrative nga 200 euro deri në 1.000 euro.

Kur shkelja kryhet nga një i mitur, sipas dispozitave të projektdekretit, gjoba i vendoset prindit, raportoi agjencia kombëtare e lajmeve ANSA, transmeton Anadolu.

Qeveria tha se masat synojnë të nxisin integrimin dhe të parandalojnë krijimin e asaj që Meloni i përshkroi si “klasa geto”.

– Kufiri prej 30 për qind për nxënësit e huaj

Dekreti vendos gjithashtu një kufi prej 30 për qind në klasat e vitit të parë për nxënësit e caktuar që nuk kanë shtetësi italiane.

Në shkollat fillore, kufiri zbatohet për nxënësit që nuk kanë lindur në Itali ose që nuk kanë ndjekur të paktën dy vjet parashkollor.

Në shkollat e mesme të ulëta dhe të larta, kufiri zbatohet për nxënësit pa shtetësi italiane që nuk kanë ndjekur me sukses sistemin kombëtar të arsimit për të paktën tre vite shkollore.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha se rreth 34.000 klasa aktualisht kanë një përqindje nxënësish të huaj mbi 30 për qind, duke theksuar se objektivi i qeverisë është t’i kushtojë më shumë rëndësi përvetësimit të gjuhës italiane si mjet për integrim.

Të Ngjashme