Lajme

Jordania ndalon përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram

Autoritetet në Jordani kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram, duke argumentuar se masa synon të pengojë përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe atyre që i cilësojnë si “materiale ekstremiste”.

Drejtoria e Sigurisë Publike (PSD) njoftoi vendimin të hënën, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë, pas një sulmi muajin e kaluar në një kishë ortodokse greke, ku mbetën të vrarë nëntë persona.

PSD u bëri thirrje qytetarëve që të “tregojnë kujdes gjatë përdorimit të aplikacioneve të mediave sociale, të shmangin ndërveprimin me llogari, lidhje apo subjekte me origjinë të panjohur dhe të raportojnë çdo praktikë ose përmbajtje të paligjshme përmes kanaleve zyrtare”.

Sulmi ndodhi në fshatin Hammoud, në provincën Karak, në pjesën perëndimore-qendrore të vendit. Të dielën, tre burra u dënuan me vdekje me varje për këtë sulm.

Ndërkohë, gjatë këtij muaji, një pjesëtar i forcave të sigurisë u vra dhe një tjetër u plagos në Aman, në atë që autoritetet e cilësuan si një tjetër “sulm terrorist”.

Telegrami ofron biseda me enkriptim, megjithëse kjo veçori nuk zbatohet për të gjitha komunikimet.

Aplikacioni është mjaft i përdorur në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, rajon që përbën rreth 8 për qind të përdoruesve të tij në nivel global.

Të Ngjashme