Policia Rrugore Fier ka nisur kontrolle në akset kryesore rrugore për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar aksidentet.
Kontrollet po kryhen edhe me ndihmën e teknologjisë, me fokus te këmbësorët që kalojnë rrugën jashtë vendeve të lejuara, raporton vizionplus.tv.
Policia apelon qytetarët të përdorin mbikalimet, nënkalimet dhe vendkalimet e dedikuara, ndërsa paralajmëron masa administrative për ata që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit.
Policia:
Në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore, si dhe rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë, Policia Rrugore Fier ka vijuar kontrollin dhe monitorimin e akseve rrugore nëpërmjet përdorimit të teknologjisë, kryesisht për sjelljen e këmbësorëve në rrugët interurbane kryesore, në raport me normat e sjelljes për këtë kategori përdoruesish të rrugës.
Kontrollet kanë si qëllim jo vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore, por edhe sensibilizimin e këmbësorëve për rëndësinë jetike që ka përdorimi i nënkalimeve dhe mbikalimeve në këto kategori rrugësh, të cilat, për shkak të karakteristikave teknike dhe shpejtësisë së lejuar, në rast aksidentesh rrugore, mund të jenë fatale për jetën dhe shëndetin e këmbësorëve.
Policia Rrugore Fier do të vijojë kontrollet dhe vendosjen e masave administrative ndaj të gjithë këmbësorëve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për më shumë kujdes nga këmbësorët, si dhe t’i përdorin mbikalimet dhe vendkalimet e dedikuara për kalimin e rrugës. Disa sekonda të kursyera nuk vlejnë sa jeta dhe siguria juaj.
Respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është përgjegjësi e përbashkët dhe kontribuon drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve rrugore.
Siguria në rrugë fillon nga secili prej nesh.
