Lajme

​Kandiq: Ish-krerët e UÇK-së u dënuan për krime lufte, zyrtarët serbë për krime kundër njerëzimit

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka bërë dallimin ndërmjet dënimit të sotëm të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë dhe aktgjykimeve ndaj zyrtarëve të lartë serbë për krimet e kryera në Kosovë.

Ajo theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan për krime lufte, ndërsa Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq, Sreten Llukiq dhe Dragolub Ojdaniq u shpallën fajtorë nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit.

“Udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte. Objektiv i sulmeve dhe masave ndëshkuese nuk ishte popullata civile, por kundërshtarët u shënjestruan në bazë të rrethanave individuale dhe jo për shkak të përkatësisë në popullatën civile”, shkroi Kandiq në platformën X.

Sipas saj, te krimet për të cilat u dënuan zyrtarët serbë, objektiv ishte pikërisht popullata civile.

“Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq, Sreten Llukiq dhe Dragolub Ojdaniq u dënuan para Tribunalit të Hagës për krime kundër njerëzimit. Popullata civile ishte objektivi”, theksoi ajo.

Kandiq reagoi edhe ndaj deklaratës së Ivica Daçiqit se aktgjykimi ndaj Thaçit dëshmon se UÇK-ja ishte “organizatë kriminale dhe terroriste”.

Ajo i rikujtoi Daçiqit se politika e Partisë Socialiste të Serbisë rezultoi me varreza masive të shqiptarëve të vrarë në territorin serb.

“SPS = varrezat masive në Serbi. T’ia rikujtoj ministrit Daçiq se politika e Partisë së tij Socialiste të Serbisë rezultoi me varreza masive të shqiptarëve të vrarë në Batajnicë, Petrovo Sello, Rudnicë, minierën e Kizhevakut dhe liqenin e Peruçacit, dhe ky është fakt i vërtetuar me aktgjykim”, shkroi Kandiq.

Të Ngjashme