Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane – U.S. Army Special Forces Qualification Course (SFQC), në U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas më shumë se tetë muajsh trajnim intensiv, nga janari deri në shtator 2026, Kapiteni përfundoi programin e kualifikimit për Green Berets, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktika të njësive të vogla, planifikim dhe udhëheqje të operacioneve speciale, kualifikimin 18A Special Forces Detachment Officer, si dhe ushtrimin përfundimtar Robin Sage.
Në përfundim të kursit, Kapiteni u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, duke dëshmuar nivel të lartë të performancës profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.
“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdojnë të investojnë në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimit në institucionet prestigjioze ushtarake të vendeve partnere.
