ZPS-ja ka kërkuar nga Gjykata Speciale që të shpallë fajtorë Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Në seancë, Prokuroria deklaroi se kërkesa për dënim bazohet në provat dhe faktet e paraqitura gjatë procesit, si dhe në peshën e veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që duhet të merren parasysh gjatë caktimit të dënimit.
“Dhe bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon juve, i nderuar gjykatës, që të merrni një vendim që të përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh për dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, u tha në seancë.
Prokuroria kërkoi këto dënime. Për Kuçin 9 muaj burgim, Fazliun 3 vjet burgim, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe për ish-presidentin Thaçi, 6 vjet burgim.
