Publicisti Rexhep Shahu ka reaguar lidhur me debatet e fundit për Gjykatën Speciale dhe protestat e zhvilluara në Kosovë, duke kundërshtuar pretendimet se kjo gjykatë është krijuar apo vepron në shërbim të Serbisë.
Në një reagim të gjatë, Shahu argumenton se Gjykata Speciale është krijuar me vendim të institucioneve të Kosovës dhe se Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kanë mbështetur krijimin e saj, duke e parë atë si alternativë ndaj mundësisë së krijimit të një mekanizmi tjetër ndërkombëtar.
Shahu është ndalur edhe te protestat dhe përdorimi i emrit të UÇK-së në tubimet publike. Ai argumenton se UÇK-ja e ka përfunduar aktivitetin e saj pas përfundimit të luftës në vitin 1999, ndërsa kritikon ashpër ata që, sipas tij, e identifikojnë UÇK-në me protestat e sotme.
Në reagimin e tij, Shahu thotë gjithashtu se vendimi i Gjykatës Speciale, sipas tij, nuk e barazon luftën e Kosovës apo UÇK-në me personat e dënuar, duke theksuar se “katër të dënuarit e shkallës së parë nuk barazohen me Kosovën as me UÇK-në”, përcjell Bota Sot.
Reagimi i plotë i Rexhep Shahut:
Patriotët po bërtasin e po thonë që gjykata speciale është serbe, po bën punën e serbëve etj etj.
A mundet dikush tu thotë patriotave, fillozofëve, mentarëve ngatërrestarëve në udhë e ekrane se atë gjykatë e ka krijuar Hashim Thaçi me Kadri Veselin dhe ata të dy çdo gjë mund ta bëjnë po Serbisë nuk i sherbejnë, për llogari të Serbisë nuk punojnë
Dy rrugë kishte për ta krijue gjykatën speciale që do të krijohej me çdo kusht: ose do ta krijonte OKB e në të do të ishin gjyqtarë edhe nga vende anti Kosovë, ose do ta krijonte Amerika me Europën e me Kosovën, pra me vendet që e çliruan Kosovën.
Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kuptuan rrezikun dhe u bënë promotorë të krijimit të gjykatës speciale dhe e krijuan në favor të Kosovës.
Dhe u pa qartë në vendim, nuk u cënua lufta e Kosovës as UÇK as Kosova.
Katër të dënuarit e shkallës së parë nuk barazohen me Kosovën as me UÇK.
Pra patriota prej kauçuku, nuk është gjykatë e Serbisë por e Kosovës.
Dhe një fallsifikim tjetër i madh: në sheshe në protestë nuk është UÇK. Ushtarët e UÇK ishin në luftë për luftë dhe jo për tallava për shfaqje cirku, për koncerte e brohorima me flamuj e banderola. Po ia shëmtoni emrin UÇK sipas mendimit tim.
Ata që nuk e treguan veten në luftë nuk mund ta kompensojnë trimninë e munguar në kohën e duhur, me dalje në sheshe koncertesh me bo fotografi më celularë.
Shkurt o patriota, në shesh nuk është UÇK-ja.
UÇK e ka pushue aktivitetin kur Serbia humbëse nënshkroi kapitullimin para Amerikës e Natos fituese në Kumanovë me 12 qershor 1999.
Nuk nënshkroi UÇK me Serbinë, por Amerika se Amerika e Nato e çliruan Kosovën, UÇK ndihmoi.
UÇK u bë Forcë e sigurisë, u bë më vonë ushtri profesionale e Kosovës, por nuk është UÇK.
Vetem Kina e emërton ushtrinë Ushtria çlirimtare popullore e Kinës UÇPK.
Kam njohur shumë ushtarë të UÇK, shumë, por ata më herojtë janë në varre, të tjerët ndërtojnë e jetojnë jetën me djersën e tyre dhe nuk rrinë të presin as lëmosha as pensione, as kamera televizionesh që të tërheqin vemendje.
Herojtë e mi të UÇK heshtin me dinjitet, pasi e bënë punën e tyre për atdheun kur i thirri atdheu.
Sot nuk ka UÇK dhe askënd nuk e thërret në shesh atdheu me luftue.
