Lajme

Keir Starmer tërhiqet nga drejtimi i Britanisë dhe Partisë Laburiste

Keir Starmer ka njoftuar të hënën dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe dhe nga udhëheqja e Partisë Laburiste.

Para se të shpallte vendimin e tij, Starmer tha se kishte trashëguar një Parti Laburiste që ishte “politikisht, financiarisht dhe moralisht e falimentuar”. Ai shtoi se arriti ta transformonte partinë duke “shkulur helmin e antisemitizmit”.

Starmer bëri të ditur se kishte biseduar me Mbretin mëngjesin e së hënës për ta informuar mbi vendimin e tij për t’u larguar nga detyra, raporton BBC.

Ai njoftoi gjithashtu se i ka kërkuar Komitetit Ekzekutiv Kombëtar të Partisë Laburiste të caktojë një afat kohor për zgjedhjen e liderit të ri, me hapjen e nominimeve më 9 korrik dhe përfundimin e procesit para pushimeve verore.

Kjo nënkupton se Partia Laburiste do të ketë një udhëheqës të ri përpara rikthimit të Parlamentit në shtator.

Deri atëherë, Starmer tha se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e kryeministrit. Ai theksoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar një tranzicion të rregullt të pushtetit dhe se do t’i ofrojë pasardhësit të tij mbështetjen e plotë.

Starmer falënderoi miqtë dhe kolegët që e kanë mbështetur gjatë gjashtë viteve të fundit, si dhe stafin e Downing Street 10 dhe “shërbimin civil të jashtëzakonshëm”.

Të Ngjashme