Lajme

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësim të thellë për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur me shqetësim të thellë shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke respektuar parimet e shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve gjyqësore dhe të drejtën e çdo viktime për drejtësi, KASH shpreh zhgënjimin e tij të thellë për këtë vendim. KASH ngre, gjithashtu, shqetësime serioze për kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit, paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve, proporcionalitetin e dënimeve dhe standardet e zbatuara gjatë këtij gjykimi.

KASH rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare kundër shtypjes, spastrimit etnik dhe dhunës sistematike të regjimit të Slobodan Millosheviçit. Kjo luftë gëzoi mbështetjen e botës demokratike, ndërsa ndërhyrja e NATO-s i dha fund një tragjedie humanitare që kishte detyruar rreth një milion shqiptarë të Kosovës të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Makineria shtetërore, ushtarake dhe policore e regjimit të Millosheviçit, si dhe drejtues të lartë të saj, janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krimet e kryera në Kosovë dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Krimet e dokumentuara të këtij regjimi , vrasjet, masakrat, dëbimet me forcë dhe përndjekja sistematike e popullsisë civile , nuk mund të relativizohen dhe as të barazohen me luftën liridashëse të popullit të Kosovës dhe të udhëheqësve të tij.

Aktgjykimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së nuk është dhe nuk mund të interpretohet si një dënim në emër të popullit të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të luftës së saj për liri dhe pavarësi. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund të njollosë sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe viktimave, të zhbëjë të drejtën historike të popullit të Kosovës për liri, apo të përmbysë dallimin themelor ndërmjet agresorit dhe viktimës. Historia e Kosovës dhe karakteri çlirimtar i luftës së saj nuk mund të rishkruhen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren se reagimet e para ndërkombëtare kanë ritheksuar rëndësinë e drejtësisë dhe përgjegjshmërisë, ndërsa në Kosovë dhe në diasporë vendimi ka shkaktuar kundërshtime dhe shqetësime të mëdha. Në këtë kontekst, KASH u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të balancuar: respektimi i proceseve gjyqësore nuk duhet të shndërrohet në relativizim të agresionit serb, në barazim moral të palëve apo në rishkrim të historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.

Të Ngjashme