Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, të identifikuar me inicialet J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B., akuzohen se, në cilësinë e udhëheqësve të Njësive Speciale të Policisë Serbe, kishin planifikuar, koordinuar dhe drejtuar një operacion të armatosur kundër lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.
Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni ishte zhvilluar me përdorimin e artilerisë së rëndë, tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake, pavarësisht pranisë së një numri të madh të civilëve.
Si pasojë e këtij operacioni, sipas aktakuzës, janë vrarë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Po ashtu, persona civilë dyshohet se janë marrë peng, maltretuar dhe torturuar, ndërsa janë shkatërruar edhe objekte dhe infrastrukturë civile.
Në operacion kanë qenë të angazhuara rreth 23 njësi policore, në mesin e të cilave edhe Njësia për Operacione Speciale, e udhëhequr nga M.U., i njohur me nofkën “Legia”.
Po ashtu, aktakuza thekson se lagjja Jasharaj ishte vënë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm që nga fillimi i janarit të vitit 1998 dhe deri në përfundimin e sulmit, pas 7 marsit 1998.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se aktakuza është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova.
“Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e tyre”, theksoi Isufaj.
Ndërkaq, prokurori i rastit, Valdet Gashi, gjatë konferencës për media e cilësoi rastin si një prej rasteve komplekse dhe sfiduese për hetim.
“Mirëpo falë një pune intensive të stafit të Prokurorisë Speciale dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit, kemi arritur në këtë fazë ku jemi, pra me ngritje të aktakuzës”, ka thënë Gashi.
Rasti tashmë i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentit Special.
