Lajme

Këta janë 5 personat e arrestuar nën dyshimin se tentuan të tjetërsojnë pronën 1.5 milionë euro në Fushë Kosovë

Pesë persona janë arrestuar sot nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë-Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aksionin për arrestimet në Fushë-Kosovë, por nuk ka dhënë detaje për identitetin e të arrestuarve.

Sipas burimeve të kp, pesë personat e arrestuar në aksionin e sotëm të Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë, në bashkëpunim me Policinë, janë Adelina Gashi, Liridona Mustafa, Enver Asllani, Driton Gojnovci dhe Gëzim Zogjani, drejtor i Pronës.

Rasti lidhet me dyshimet për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

“Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S, për pronën e cila gjendet në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej 2 hektarë, dhe më pas personi M.S ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë këtë pronë ta tjetërsoi përmes shitblerjes tek personat M.Z dhe M.Z me dokumente të falsifikuara në vlerë prej një milion e pesëqind mijë (1.500.000) eurosh”, ka konfirmuar Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar lidhur me këtë pronë.

Në lidhje me rastin dhe identitetin e personave të arrestuar, janë kërkuar informacione edhe nga Policia e Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk është marrë përgjigje.

Gjithashtu, zyrtarë komunalë të Fushë-Kosovës nuk kanë konfirmuar një aksion të tillë.

Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të Ngjashme