Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp ka vlerësuar se askush nuk mund ta parashikojë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, ajo komentuar edhe shtyrjen e afatit për shpalljen e verdiktit final.
Tromp, e cila është ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, flet edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të shqiptarëve të dorëzuar sot në Gjykatën Speciale.
Ajo thotë se kjo iniciativë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), nuk synon ndërhyrjen në aktgjykim. Por, kroatja ka dyshime se ky akt, mund të ketë edhe efekte negative.
Tromp: 200 mijë shqiptarët që nënshkruan peticionin janë kundër kësaj forme të drejtësisë
“Nisma e zotëri Gucatit tashmë thotë diçka: ne jemi kundër kësaj gjykate, jemi kundër kësaj forme drejtësie. Pra qëllimi nuk është të ndërhyhet në aktgjykim, por ta delegjitimojë atë, ta delegjitimojë gjykatën. Pse? Sepse nëse aktgjykimi është dënues, ata mund t’i përdorin të gjitha këto argumente për të thënë: ne nuk pajtohemi me këtë dënim, me këtë vendim që i shpalli fajtorë, sepse ne kurrë nuk kemi besuar se kjo gjykatë ishte një institucion i paanshëm….Dhe e dini cila është tehu i dyfishtë i kësaj? Shqiptarët e Kosovës që e nënshkruan këtë peticion, 200 mijë shqiptarët që e nënshkruan atë, dhe jo vetëm ky raport, por edhe shumë njerëz jashtë Kosovës kishin pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si funksionon kjo gjykatë. Por nëse këta katër të pandehur shpallen të pafajshëm, atëherë pala serbe mund të thotë: ata u shpallën të pafajshëm sepse vetë shqiptarët thanë se kjo gjykatë nuk është gjykatë e drejtë, kështu që gjykata i liroi ata për shkak të presionit që gjyqtarët ndien nga bota e jashtme. Pra e shihni sa e ndërlikuar mund të jetë. Në botën akademike ne e quajmë këtë drejtësi ekspresive ose disonancë ekspresive”, shprehet ajo.
Bazuar në praktikën ligjore, ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp ka treguar se afati prej tre muajsh mund të mos mjaftojë për shpallje të vendimit.
Tromp: Do të më befasonte nëse do shpallej shpejt aktgjykimi për katërshen e UÇK-së
“Por nëse nuk arrijnë të nxjerrin vendimin shpejt — dhe do të më befasonte nëse do ta bënin shumë shpejt — sepse duhet të kuptoni që gjyqtarët mund të kenë mendime të ndryshme për shumë çështje dhe mënyrën se si vlerësohen provat. Prandaj, edhe brenda trupit gjykues mund të ketë debat interesant të brendshëm. Ata duhet të pajtohen për çdo fjalë të aktgjykimit. Kështu që nuk është domosdoshmërisht e pamundur që të përfundohet brenda tre muajve pas përfundimit të procesit, por ka shumë gjasa që të zgjasë më shumë. Ndonjëherë, në praktikë ata arrijnë shumë shpejt marrëveshje për çështjet kryesore dhe mund të nxjerrin një vendim më të shkurtër, i cili mund të bëhet publik edhe për media dhe publik, ku shpallet edhe cili është vendimi”, shton ajo.
Gjykata Speciale e ka konfirmuar sot zgjatjen edhe për 60 ditë të afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep i ka thënë KosovaPress-it se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit por data që përcakton afatin e zgjatur.
Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp përmend tre skenarët e mundshëm të vendimit për katërshen e UÇK-së.
Tromp tregon tre skenarët e mundshëm të vendimit për katërshen e UÇK-së
“Dua të them diçka shumë të rëndësishme për ju dhe për publikun në Kosovë, sepse ju jeni në një gjendje pritjeje me ankth për atë që do të jetë vendimi, pasi askush nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë. Mund të ketë lirimin e të katërve. Mund të ketë dënimin e të katërve. Dhe skenari i tretë është që disa të lirohen dhe disa të dënohen. Pra, këto janë tre skenarët…Askush nuk mund të parashikojë cili do të jetë verdikti. Skenari i parë, që shumë njerëz në Kosovë e presin me ankth por me shpresë dhe optimizëm, është lirimi i të katër të akuzuarve. Skenari i dytë është më i keqi, ku të katër shpallen fajtorë për disa nga akuzat në aktakuzë. Dhe skenari i tretë, ndoshta më i mundshmi, jo sepse kam ndonjë informacion të brendshëm, por sepse është logjikisht i mundshëm, është që disa të lirohen dhe disa të dënohen. Pra, nëse më pyetni, ky është probabiliteti më i lartë statistikisht”, deklaron ajo.
Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim nga 45 vjet për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
