Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor, ku kishte raportuar dhunë në familje. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili pas ngjarjes u largua nga vendi i krimit.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Vitomiricën e Pejës, ku Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj, mbrëmjen e 25 tetorit.
Rrethanat e vrasjes janë veçanërisht shqetësuese, pasi viktima kishte kërkuar ndihmën e Policisë për një rast të dhunës në familje, por pas kthimit në shtëpi u gjet e vrarë.
Sipas informacioneve fillestare të rastit, rreth orës 19:00, Arlinda ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar nga hetuesit për dhunën në familje. Edhe bashkëshorti i saj ishte intervistuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj në Vitomiricë me një patrullë policore. Rreth orës 20:58, ajo ishte dërguar në banesë, ndërsa afërsisht dhjetë minuta më vonë Policia mori njoftimin se në të njëjtin lokacion kishte ndodhur një vrasje.
Kur zyrtarët policorë u kthyen në vendin e ngjarjes, 49-vjeçarja u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit. Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e saj.
Sipas dyshimeve fillestare, Arlinda dyshohet se është goditur me sëpatë në kokë. Për rastin, si i dyshuar është identifikuar kunati i saj, Albert Sylaj, i cili pas ngjarjes ishte larguar dhe, sipas informacioneve të fundit të raportuara, ndodhej në arrati.
Për vrasjen janë njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe njësitë përkatëse policore, të cilat po zhvillojnë hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe lokalizimin e të dyshuarit.
Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze lidhur me trajtimin e denoncimit paraprak për dhunë në familje dhe vlerësimin e sigurisë së viktimës para kthimit të saj në shtëpi. Këto rrethana kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse, ndërsa përgjegjësia penale për vrasjen do të përcaktohet përmes procedurave ligjore.
Ky është reagimi i kompanisë ku ajo punonte:
