Lajme

“Koalicioni VV-LDK ka qenë i domosdoshëm prej kohësh, zgjedhjet e reja nuk sjellin zgjidhje”

Publicisti dhe analisti politik Ismail Muqiqi vlerëson se një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë i nevojshëm prej kohësh, por sipas tij, ky bashkëpunim është penguar nga interesat e ngushta politike dhe përçarjet e brendshme.

“Qysh moti ka qenë i nevojshëm një koalicion ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por për shkak të tekeve dhe inateve politike, si dhe për shkak të fraksioneve që veprojnë brenda LDK-së dhe interesave të grupeve të caktuara, kjo nuk ka ndodhur deri tani”, deklaroi Muqiqi.

Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në skenën politike të vendit.

“Kjo u vërtetua edhe me rastin e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk sollën asnjë risi apo ndryshim thelbësor në krahasim me të kaluarën”, tha ai.

Muqiqi shprehet se tani është radha e Lëvizjes Vetëvendosje të tregojë gatishmëri për kompromis politik dhe t’i afrohet LDK-së me një propozim konkret për presidentin e vendit.

Image
Ismail Muçiqi

“Besoj se Lëvizja Vetëvendosje do të sillet ashtu si duhet, duke reflektuar me parime të shëndosha dhe duke iu afruar Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’ia propozuar një emër të pranueshëm për president të vendit”, u shpreh ai.

Ai kundërshton idenë e organizimit të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ato vetëm sa po e rëndojnë situatën politike.

“Nuk ka më asnjë kuptim që të pretendohet të shkohet sërish në zgjedhje nacionale. Përveç se janë bërë të neveritshme për qytetarët, ato po e tensionojnë edhe më shumë situatën në skenën politike të Kosovës”, deklaroi Muqiqi.

Duke folur për sfidat me të cilat përballet vendi, ai kërkon që subjektet politike të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të ndalin bllokadat institucionale.

“Kosova ka sfida të shumta me të cilat do të përballet në vazhdimësi, andaj nuk ka asnjë justifikim që përmes obstruksioneve dhe bllokadave të dëmtohet vendi. Është momenti që të gjithë të marrin përgjegjësi, duke i lënë anash interesat personale, partiake dhe grupore për t’i ndërtuar institucionet”, tha ai.

Në fund, Muqiqi paralajmëroi se vazhdimi i krizës politike mund të shkaktojë pakënaqësi dhe reagime qytetare.

“Çdo tentativë për të vazhduar avazin e vjetër duhet ta dijë secila parti politike se do të përballet me protesta të vazhdueshme të qytetarëve dhe me braktisje nga skena politike”, përfundoi Muqiqi.

Të Ngjashme