Lajme

​Komandanti i KFOR-it pret shefin e ri të BE-së, në fokus siguria në Kosovë

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur në selinë e KFOR-it në Prishtinë, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schubel.

Schubel së fundmi ka marrë detyrën në këto dy pozita.

Sipas KFOR-it, takimi ishte mundësi për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe për të avancuar koordinimin ndërmjet palëve.

Gjeneralmajor Ulutash shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

KFOR-i theksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.

Misioni i NATO-s në Kosovë tha se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Të Ngjashme