Komisioni Evropian ka reaguar përmes një përgjigjeje për “Bota sot” lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin për Zgjerim në Bruksel. Në reagim thuhet se kënga ishte përzgjedhur nga vetë grupi muzikor dhe se zgjedhja e saj nuk ishte dakorduar me Komisionin. Institucioni shpreh keqardhje për këtë përzgjedhje dhe thekson se interpretimi nuk pasqyron qëndrimin e tij apo të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Në përgjigjen për “Bota sot”, Yuliya Matsyk, zyrtare për media në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, ka sqaruar rrethanat e përzgjedhjes së këngës, duke theksuar se ajo nuk ishte miratuar paraprakisht nga Komisioni.
“Siç deklaroi edhe komisionerja Kos këtë mëngjes, kënga në fjalë u përzgjodh nga grupi muzikor dhe nuk ishte dakorduar me Komisionin. Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit”, thuhet në përgjigje.
Më tej, në reagim theksohet se interpretimi i këngës nuk duhet të shihet si pasqyrim i qëndrimit zyrtar të institucionit apo i komisioneres Marta Kos për Kosovën dhe historinë e saj.
“Kënga në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të komisioneres Kos në lidhje me Kosovën dhe historinë e saj”, thuhet në përgjigje.
Duke iu referuar historisë dhe ndjeshmërive që ekzistojnë mes komuniteteve në rajon, përfaqësuesja për media ka përcjellë mesazhin se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi vlerat evropiane, duke shmangur ndarjet dhe përçarjet.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë evropiane – një e ardhme pa ndarje, ku secili ndihet si në shtëpi”, thuhet në reagim.
Në përgjigje theksohet se synimi nuk është që njerëzit të harrojnë dallimet mes tyre, por të ndërtohet një Evropë ku këto dallime të mos shndërrohen në arsye për ndarje.
Në këtë kontekst, është rikujtuar edhe një deklaratë e njërit prej folësve në aktivitetin e një dite më parë: “Dallimet janë të mira, ndarjet jo”.
Po ashtu, në përgjigje ritheksohet mbështetja për rrugën evropiane të Kosovës dhe synimi për të vazhduar përkrahjen e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përveç reagimit lidhur me këngën, në përgjigjen për “Bota sot” janë dhënë sqarime edhe për përfaqësimin e vendeve në Forumin për Zgjerim. Sipas institucionit, në këtë forum marrin pjesë aktivisht përfaqësues nga të gjitha vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Komisioni bën të ditur se pesë nga vendet kandidate përfaqësohen nga përfaqësues të qeverive të tyre, ndërsa në forum do të marrë pjesë edhe shoqëria civile nga Kosova. Konkretisht, Donika Emini nga organizata D-Square do të jetë pjesë e një paneli të posaçëm kushtuar pajtimit.
