Lajme

Komuna e Kamenicës vazhdon investimet në Topanicë dhe Karaçevë

Komuna e Kamenicës, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se kanë vazhduar investimet në infrastrukturë në Topanicë dhe në Karaçevën e Poshtme e të Epërme.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Blerim Murina, Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, drejtorin Zotrim Kastrati dhe stafin komunal, ka përcjellë nga afër punimet që po zhvillohen në Topanicë dhe Karaçevë të Poshtme e të Epërme.

Në Topanicë, ka vazhduar asfaltimi i rrugëve, si vazhdimësi e projektit të mëparshëm.

Rrugët e asfaltuara janë:

“Rruga e Lugit të Demës”,

“Rruga Mulla Rexhepi” dhe

“Rruga Jakup Jakupi”.

Këto punime janë pjesë e investimeve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme për banorët.

Ndërsa nga Karaçeva e Poshtme drejt Karaçevës së Epërme, kanë filluar punimet për projektet për rregullimin e trotuarit me vlerë prej 203,000 eurosh, si dhe të varrezave, me vlerë prej 113,996.00 euro.

Ky investim ka për qëllim sistemimin dhe përmirësimin e kësaj hapësire me rëndësi për komunitetin.

Kryetari Rahimaj, gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, është shprehur i lumtur për realizimin e këtyre projekteve dhe ka premtuar se Komuna e Kamenicës do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë dhe në përmirësimin e hapësirave publike, me synim krijimin e kushteve më të mira dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët në të gjitha lokalitetet e komunës.

Të Ngjashme