Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se bashkëpunimi rajonal duhet të mbështetet në besim, barazi dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial.
Konjufca, përmes një postimi në X nga Java e Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në drekën e përbashkët të punës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Evropës Qendrore (CEI).
Ai ka falënderuar ministren e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Oana Țoiu, për organizimin e diskutimit mbi të ardhmen e bashkëpunimit rajonal.
“Teksa shënojmë tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, theksova se bashkëpunimi duhet të mbështetet në besim, barazi dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka thënë se kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur rajoni dhe Evropa përballen me kërcënime hibride dhe presione gjeopolitike në rritje.
“Për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal duhet ta plotësojë, e jo ta zëvendësojë, aspiratën tonë të përbashkët evropiane, duke sjellë njëkohësisht rezultate konkrete përmes lidhjeve më të mira rajonale, tregtisë, energjisë, bashkëpunimit digjital, mobilitetit dhe qëndrueshmërisë”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, këto formate duhet të vlerësohen sipas asaj që u ofrojnë qytetarëve.
“Të rinjtë tanë duan mundësi, mobilitet dhe mirëqenie, ndërsa përgjegjësia jonë është t’i krijojmë këto mundësi këtu, në rajonin tonë”, ka shkruar ai.
