Lajme

Kos në PE: Shqipëria ka përmbushur IBAR, hap i rëndësishëm drejt mbylljes së negociatave

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, duke veçuar progresin e Shqipërisë.

Siç raportojn mediat ne Shqipëri, Kos deklaroi se Shqipëria ka përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), një hap që, sipas saj, i hap rrugën vendit për të avancuar në procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave me BE-në.

Ajo theksoi megjithatë se mbetet ende punë e rëndësishme për t’u bërë në drejtim të reformave të kërkuara.

Sipas saj, aktualisht ekziston një “dritare mundësie” për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, ndërsa Komisioni Europian mbetet i gatshëm të ecë përpara me vendet e rajonit, në varësi të përmbushjes së angazhimeve të tyre reformuese dhe përafrimit me politikat e BE-së.

Kos nënvizoi se procesi i zgjerimit vijon të bazohet në parimin e meritës dhe progresit individual të çdo vendi kandidat, duke theksuar mbështetjen e institucioneve europiane për vendet që tregojnë rezultate të qëndrueshme, por edhe qartësinë në rastet kur konstatohet mungesë përparimi.

Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, ajo përmendi edhe progresin e Malit të Zi, për të cilin Këshilli ka nisur përgatitjen e traktatit të anëtarësimit, si një zhvillim i parë i këtij lloji pas më shumë se një dekade e gjysmë.

Në përfundim, Kos u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë “dritaren e hapur të mundësisë” për integrim, duke theksuar se Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian duhet të ecin paralelisht me reformat e ndërmarra nga vendet kandidate.

Të Ngjashme