Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinator i Instrumentit për Reforma dhe Rritje (IRR), dhe Jiri Plecity, Shef i Njësisë përgjegjëse për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, bashkëkryesuan sot në Prishtinë takimin e parë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Komisionit Evropian, si dhe organizata të shoqërisë civile, sindikata, asociacione biznesi, autoritete lokale, shtete anëtare të BE-së dhe partnerë zhvillimorë, për të shqyrtuar progresin e Kosovës në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe gjendjen e projekteve investuese të mbështetura nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, instrumenti financiar i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Diskutimet u përqendruan në progresin e arritur në fushat kryesore të reformës, përfshirë reformën e administratës publike, menaxhimin e financave publike, temat themelore dhe sundimin e ligjit, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, zhvillimin e sektorit privat dhe mjedisin e të bërit biznes, si dhe arsimin dhe punësimin.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe të BE-së diskutuan gjithashtu funksionimin e strukturave qeveritare përgjegjëse për koordinimin e zbatimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, projektet investuese që do të financohen përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), mekanizmat e auditimit dhe kontrollit në kuadër të Instrumentit, si dhe rolin e shoqërisë civile në mbështetjen dhe monitorimin e zbatimit të reformave.
Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e zbatimit të të gjitha 111 hapave reformues të paraparë në Agjendën e Reformave dhe të shfrytëzimit të plotë të mundësive që ofron Instrumenti për Reforma dhe Rritje, si dhe Plani i Rritjes në tërësi, për të përshpejtuar më tej përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Palët theksuan se periudha shtesë (grace period) për zbatimin e 13 hapave reformues, me një vlerë totale prej 90.8 milionë eurosh, përfundon më 30 qershor 2026. Ndërkohë, periudha shtesë për 27 hapa të tjerë reformues, me një vlerë të përgjithshme prej 165.9 milionë eurosh, do të përfundojë në fund të dhjetorit 2026.
Kosova rikonfirmoi përkushtimin e saj për përshpejtimin e zbatimit të reformave dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes. Gjithashtu, ajo ritheksoi angazhimin për monitorimin e afërt të procesit të reformave dhe forcimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale për absorbimin e asistencës së BE-së.
Komisioni Evropian mirëpriti përkushtimin e Kosovës ndaj zbatimit të Agjendës së Reformave dhe progresin e arritur deri më tani. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e zbatimit në kohë të reformave, përfshirë ato që kërkojnë veprime nga një Kuvend plotësisht funksional dhe një Qeveri me mandat të plotë.
Autoritetet e Kosovës dhe Komisioni Evropian u dakorduan që të institucionalizojnë më tej rolin e shoqërisë civile në Komitetin Monitorues dhe të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë për të mbështetur zbatimin efektiv të reformave.
Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999.
Në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosova pritet të përfitojë 882.6 milionë euro financim nga BE-ja – një e treta në formë grantesh dhe dy të tretat në formë huash me kushte të favorshme. Kosova ishte ndër përfitueset e para që negocioi me Komisionin Evropian dhe miratoi Agjendën e saj të Reformave.
Për më shumë informata, kontaktoni:
Bashkimi Evropian në Kosovë: Nikola GAON, [email protected]
Komisioni Evropian SQ: Tom DAUTZENBERG, [email protected]
Zyra e Kryeministrit: Artan ÇOLLAKU, [email protected]


