Pas deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, se partitë duhet të angazhohen në dialog për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, mbetet e paqartë sa realisht mund të arrihet një marrëveshje politike.
Analistët theksojnë se mungesa e kompromisit ndërmjet partive ka qenë një nga arsyet që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme më 7 qershor.
Sipas tyre, ekziston rreziku që edhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të vazhdojë bllokada institucionale nëse nuk lihen anash inatet politike dhe ambiciet për pushtet. Ata theksojnë nevojën për kulturë të re politike, dialog dhe përgjegjësi shtetërore, duke nënvizuar se “fitues duhet të jetë Republika e Kosovës”.
Ndërkohë, analistët paralajmërojnë po ashtu, se mungesa e vullnetit për kompromis nga partitë mund ta shtyjë vendin sërish drejt zgjedhjeve të reja dhe krizave të përsëritura.
Në përgjithësi, pas certifikimit të rezultateve, Kosovën mund ta presë ose një marrëveshje e vështirë politike për stabilitet institucional, ose vazhdim i bllokadave me pasoja për funksionimin e shtetit.
“Koha për një kulturë të re politike dhe përgjegjësi shtetërore”
Profesori Fejzulla Berisha në një prononcim për ‘Bota sot’, vlerëson se, pas një sërë sfidash politike dhe institucionale, Republika e Kosovës po përballet me nevojën për një kulturë të re politike të bazuar në dialog, kompromis dhe përgjegjësi shtetërore.

Profesori Fejzulla Berisha
Ai thekson se, dallimet politike janë të natyrshme në një demokraci parlamentare, por sipas tij ato nuk duhet të shndërrohen në pengesë për funksionimin e institucioneve.
“Dallimet politike janë të natyrshme dhe madje të dobishme për pluralizmin demokratik, por ato nuk duhet të shndërrohen në krizë të vazhdueshme institucionale,” deklaron Berisha.
Sipas tij, përvoja ndërkombëtare dëshmon se kompromisi është shenjë e pjekurisë politike dhe forcës së institucioneve.
Ai përmend Gjermaninë dhe Italinë, si shembuj të vendeve ku kompromisi politik ka siguruar stabilitet institucional.
“Gjermania ka treguar se, edhe pas zgjedhjeve të vështira, forcat politike mund të tejkalojnë dallimet ideologjike për interes të shtetit,” shprehet ai.
Berisha përmend edhe Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe Marrëveshjen e së Premtes së Mirë në Irlandën e Veriut si dëshmi se dialogu është rruga e vetme për stabilitet afatgjatë.
Sipas tij, në rrethanat aktuale gjeopolitike, Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe stabilitet politik, sidomos në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Partnerët strategjikë të Kosovës presin pjekuri demokratike dhe aftësi për tejkalimin e mosmarrëveshjeve në emër të interesit shtetëror,” thekson ai.
Berisha paralajmëron se krizat e vazhdueshme institucionale nuk prodhojnë fitues afatgjatë.
“Krizat kanë shkaktuar lodhje qytetare, dëmtim të imazhit ndërkombëtar dhe ngadalësim të reformave,” thotë ai.
Ai thekson se përgjegjësia politike duhet të matet me aftësinë për të ndërtuar konsensus, jo vetëm për të fituar zgjedhje.
“Pyetja nuk është cila parti fiton, por nëse fiton Republika e Kosovës,” deklaron Berisha.
Sipas tij, kjo gjeneratë politike ka përgjegjësi historike për të dëshmuar kulturë bashkëpunimi dhe vizion shtetëror.
Opozita dhe mundësia për bashkëpunim paszgjedhor
Ndërkaq, analisti politik Gani Qarri vlerëson se, gatishmëria e kryeministrit për dialog paszgjedhor me partitë opozitare hap mundësi për zhvillime pozitive në vend.
Sipas tij, kjo qasje mund të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja shtetërore dhe në garantimin e stabilitetit qeverisës në Kosovë.

Gani Qarri
“Shprehja publike e gatishmërisë për bisedime është hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçeve politike,” thotë Qarri për “Bota sot”.
Qarri kritikon periudhën e kaluar të krizave institucionale, duke theksuar se ato kanë sjellë bllokada të gjata dhe paqëndrueshmëri politike.
Sipas tij, vendi ka nevojë urgjente për funksionim normal të Kuvendit dhe Qeverisë.
“Kosova nuk mund të përballojë më ngërçe të përsëritura institucionale,” thekson ai.
Ai shprehet kritik ndaj dy partive kryesore opozitare, PDK-së dhe LDK-së, duke thënë se ato nuk kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim pas zgjedhjeve.
“Mosurimi i fituesit dhe tërheqja nga bisedimet e ofruara tregon mungesë vullneti për kompromis,” deklaron ai.
Sipas tij, kjo qasje rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
Qarri thekson se, qytetarët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe pasiguria politike.
Ai apelon që partitë politike të tregojnë maturi dhe të pranojnë dialogun për formimin e institucioneve.
“Do të ishte shumë e arsyeshme që opozita të hyjë në bisedime dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional,” thotë ai.
Sipas tij, një skenar i zgjedhjeve të reja të parakohshme do të dëmtonte më së shumti qytetarët dhe vetë shtetin e Kosovës.
Ai shton se përsëritja e zgjedhjeve nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të madh politik, por vetëm rrit lodhjen e elektoratit.
Qarri thekson se zgjidhja e vetme e qëndrueshme është kompromisi ndërpartiak dhe krijimi i institucioneve funksionale.
“Duhet të lihen anash inatet politike dhe të krijohet bashkëpunim i mirëfilltë në interes të shtetit,” përfundon ai për “Bota sot”.
