Të hënën paradite u bë e ditur marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kandidat për postin e presidentit u propozua profesor doktor Bekim Sejdiu.
Sipas LDK-së, ky emër ishte propozim i saj dhe ishte pranuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, pasditen e po asaj dite u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk do ta mbështesnin këtë marrëveshje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër marrëveshjes.
Abdixhiku edhe të martën ka folur për refuzimin e gjashtë deputetëve, duke paralajmëruar zgjedhje të reja pas këtij qëndrimi dhe duke thënë se dëmi është ndaj LDK-së.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion.
Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka rikujtuar edhe situatën e vitit 2020, duke thënë se veprimi i fundit i gjashtë deputetëve është dëm për LDK-në.
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj!”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka përsëritur se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses”, ka përfunduar Abdixhiku.
Gabimi i deputetëve, nevoja për rishqyrtim vendim dhe humbja e votave
Analisti Milazim Maraj, mos pranimin e këtyre deputetëve të LDK-së e vlerëson gabim.
Sipas tij, qëndrimet e tyre që janë dhënë nuk janë arsye për këtë veprim, siç e quan ai të rëndë dhe të dëmshëm për Kosovën.

Analisti Milazim Maraj
“Refuzimi i gjashtë deputeteve të LDK për President, përsëritja e zgjedhjeve dhe pamundësia e shqiptarëve për marrëveshje me rëndësi fondamentale për vendin është për keqardhje dhe mjaftë degraduese, e rrezikshme për opinionin e jashtëm, e ne veçanti për aleatet tonë. Ky atavizëm tani mund të lidhet me historinë tonë që japim vlera njerëzore, intelektuale, profesionale për terë botën, por nuk i pranojmë brenda vendit tonë aty ku kemi më se shumti nevojë. Uniteti kombëtar nuk guxon të bije pre e inateve, hakmarrjeve apo interesave partiake, grupore, apo individuale. Mos pranimin e këtyre deputeteve të LDK e vlerësoj gabim. Qëndrimet e tyre që kanë dhënë nuk janë arsye për këtë veprim të rëndë dhe të dëmshëm për Kosovën. Janë dëme jo vetëm në planin e brendshëm por edhe planin e jashtëm. Kjo ka barazuar tekët e kryetarit të LVV për të shpreh inatin ndaj ish Presidentes. Por gabim nuk është vetëm i këtyre gjashtë deputeteve. Kryetari ka fituar besimin e shumicës së në Këshillin e Përgjithshëm. Të gjithë u pajtuan që respektojnë këtë vendim të KP. Tani dolën me arsyetime që nuk janë adekuate për dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura, që përsëri nuk garantojnë sukses pa marrëveshje”, shprehet Maraj për “Bota sot”.
LDK duhet të thërras organet e veta partiake dhe të rishqyrtojë këtë gjendje, thotë Maraj, duke shtuar se LDK ka bërë kompromise edhe në kohën kur është kërcënuar e i janë vrarë themeluesit, veprimtarët dhe simpatizantët.
“E para për hatër mbetje apo interesa të ulëta grupore, individuale nuk duhet të sakrifikohet interesi i subjektit politik dhe aq më pak interesi shtetëror i Kosovës. Por jo vetëm kaq. Këtu ka gabime edhe nga Kryetari i LDK. Dr. Lumir Abdixhiku. Para pajtimit dhe daljes në opinion, për emrin e përveçëm të kandidatit për President do të duhej të konsultohej me grupin parlamentarë të LDK. Të debatojë dhe të arsyetojë këtë vendim që po e pranojnë dymbëdhjetë deputet të tjerë nga ky subjekt politik. LDK ka qëndrim dhe përvojë tradicionale për të sakrifikuar nga partia për shtete formim. Për personalitetin, përgatitjen diplomatike, nivelin e tij intelektual dhe profesional dhe përvojën e kandidatit nuk kishte vërejtje. Vërejtja ishte shumë e ulët. Ka qenë në grupin e GJKK kur është votuar kundër Qeverisë Hoti”.
“Çka mund të quhet kjo përveç hakmarrje? Madje edhe po të ishte një nga dhjet kundër asgjë nuk do të arrinte. Çfarë kuptimi ka kjo në interesin e vendit? A nuk është njësoj kjo sikur kur LVV luftonte pa zgjedhur mjete për të ardhur në pushtet? Ndërsa ne e kritikonim. Kjo rrethanë e krijuar pa arsye që kanë peshë të interesit shtetëror dhe kombëtar duhet të tejkalohet. LDK duhet thërras organet e veta partiake dhe të rishqyrtoj këtë gjendje. Të merr vendime të studiuara mirë, nga se natyra e filozofisë politike të LDK nuk i duron këto arsyetime. LDK ka bërë kompromise edhe në kohë kur iu kanë, kërcënuar, plaguar e vrarë themeluesit, veprimtarët dhe simpatizantët e saj. Këtë e ka bërë për interesa kombëtare. Dr. Lumir Abdixhiku duhet të korrigjoj lëshimet e veta sikur edhe gjashtë deputetët kundërshtues. Abdullah Hoti duhet të analizoj çka fitoj Kosova më rastin e prishjes së Koalicionit në Qeverinë Hoti”, thekson Maraj.
Në fund, sipas Marajt, LDK dhe në zgjedhje të reja do të humbë shumë vota.
“Çka do të fitoj Kosova nëse përsëri shkojmë në zgjedhje. Nuk e arsyeton tani elektorati i LDK një veprim të përafërt me LVV nga të zgjedhurit e vet. Ky veprim do ta dëmtojë edhe më tutje LDK dhe në zgjedhje të reja LDK do të humbë më shumë nga numri i votave. Mendoj që do të duhej të vazhdojnë negociatat brenda partisë. Negociata të qeta, me plotë arsye, pa ndikim të inateve qoftë brenda LDK apo edhe në nivel të pluralizmit politik të Kosovës. Vetëm veprimet në favor të interesave të Kosovës dhe interesit të përgjithshëm kombëtare e arsyetojnë LDK. Kjo është partia që ka bërë Kosovën shtet. Çfarë do veprimi në dëme të shtetit shqiptar nuk e arsyetojnë LDK”, përfundon Maraj.
“Marrëveshja duhet të vazhdojë, zgjedhjet e reja do ta thellonin krizën politike”
Ndërsa, analisti politik Adnan Qaka ka deklaruar se Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të mungesës së vullnetit politik për konstituimin e institucioneve. Ai ka vlerësuar se marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit duhet të vazhdojë dhe se liderët politikë duhet të reflektojnë për të siguruar kuorumin.

Adnan Qaka
Qaka tha se, sipas tij, PDK-ja dhe AAK-ja po synojnë zgjedhje të reja, ndërsa LVV-ja dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me 11 deputetë të kësaj partie, janë për konstituimin e institucioneve.
“Kosova, fatkeqësisht, rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja dhe, siç shihet, nuk ka vullnet politik nga opozita që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Shihet qartë se PDK-ja dhe AAK-ja duan patjetër që shteti ynë të shkojë në zgjedhje të reja, por këtë nuk po e do kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me 11 deputetë të tjerë të LDK-së, si dhe VV-ja, e cila po kërkon konstituimin e institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha Qaka.
Ai u ndal te marrëveshja e arritur mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, duke thënë se ajo duhet të zbatohet në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Siç dihet, para tri ditësh kreu i VV-së, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, arritën një marrëveshje. Ajo marrëveshje duhet të shkojë përpara dhe liderët duhet të reflektojnë, që të bëhet kuorumi për presidentin e Kosovës. Këta dy liderë u dakorduan që ish-ambasadori i Kosovës në Turqi dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për president të shtetit”, deklaroi ai.
Sipas Qakës, kandidatura e Sejdiut nuk po kundërshtohet për shkak të figurës së tij, por për shkak se është pjesë e marrëveshjes politike mes LVV-së dhe LDK-së.
“Me këtë kandidaturë, si person, nuk e kontestojnë as AAK-ja dhe as PDK-ja, mirëpo nuk po duan ta votojnë vetëm e vetëm se është pjesë e marrëveshjes me Albin Kurtin, që ai të mos mbetet në pushtet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. PDK-ja dhe AAK-ja kanë potencuar se do ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit”, tha Qaka.
Ai përmendi edhe qëndrimin e Abdixhikut, i cili ka deklaruar se do të jetë në sallën e Kuvendit bashkë me 11 deputetë të tjerë të LDK-së ditën kur votohet presidenti.
“Abdixhiku ka deklaruar: ‘Unë, me 11 deputetët e tjerë të LDK-së, do të jemi në sallën e Kuvendit në ditën kur votohet presidenti’. Mirëpo, para dy ditësh, 6 deputetë nga LDK-ja, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, vendosën që të mos e përkrahin arritjen e kësaj marrëveshjeje”, u shpreh ai.
Qaka tha se marrëveshja duhet të vazhdojë për të shmangur një tjetër proces zgjedhor, ndërsa e cilësoi qëndrimin e Abdixhikut si institucional.
“Marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së për zgjedhjen e presidentit dhe konstituimin e institucioneve, për ta shpëtuar shtetin që të mos shkojë në zgjedhje, duhet të vazhdojë. Mendoj se qëndrimi aktual i kryetarit të LDK-së është qëndrim institucional dhe shtetëror dhe mendoj se ai ka reflektuar. Është tejet e dëmshme për shtetin tonë prapë të kemi zgjedhje, kur në fakt do të kemi të njëjtat probleme”, tha Qaka.
Duke folur për përplasjet brenda LDK-së, Qaka iu referua edhe deklaratave të Abdixhikut për ndikimin e disa figurave publike te deputetët e partisë.
“Për qëndrimet radikale në kuadër të partisë së LDK-së, kryetari z. Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK-ja po ndikohet nga rrymat mercenariste, siç janë Baton Haxhiu dhe Berat Buzhala, të cilët po ndikojnë te deputetët e LDK-së. Abdixhiku tha qartë se, atë që unë kam kuptuar, është se 99% e anëtarësisë së LDK-së nuk i duan zgjedhjet. Pra, shkuarja në zgjedhjet e reja, Abdixhiku tha se nuk është agjendë e LDK-së, por e Baton Haxhiut dhe Berat Buzhalës. Abdixhiku tha se nuk bën të shkohet në zgjedhje, sepse pas zgjedhjeve do të kemi prapë problemin e njëjtë”, deklaroi ai.
Qaka shtoi se Abdixhiku ka kritikuar gjashtë deputetët e LDK-së që janë kundër marrëveshjes, duke pretenduar se ata po veprojnë kundër interesave të partisë dhe vendit.
“Po ashtu, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se këta 6 deputetë të LDK-së që dolën kundër marrëveshjes së arritur, po punojnë kundër agjendave të LDK-së dhe të Kosovës. Mendoj se qëndrimi aktual i kryetarit të LDK-së është qëndrim institucional dhe shtetëror dhe mendoj se ai ka reflektuar”, tha Qaka.
Ai e cilësoi të dëmshme mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se edhe pas tyre mund të përsëritet e njëjta krizë.
“Është tejet e dëmshme për shtetin tonë prapë të kemi zgjedhje, kur në fakt do të kemi të njëjtat probleme. Prandaj, Abdixhiku po kërkon që të mos kemi më zgjedhje; kështu po thonë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, u shpreh analisti.
Qaka foli edhe për deklaratën e Richard Grenellit në mbështetje të gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e lidhur këtë me atë që ai e konsideron si përpjekje të Serbisë për të mbajtur Kosovën në krizë politike.
“Andaj, deklarata e Richard Grenell që doli në mbrojtje të 6 deputetëve të LDK-së që janë kundër kësaj marrëveshjeje, duke i quajtur si miq të Amerikës, është dëshmi e qartë se Serbia me lobin e saj po dëshiron kriza politike dhe destabilitet në Kosovë”, tha Qaka.
Ai përmendi pretendime dhe raportime të ndryshme lidhur me Grenellin, duke e cilësuar atë si lobues pro-serb.
“Siç është dëshmuar me shumë fakte se Richard Grenell është një lobues pro-serb me lidhje me rusët. Grenell ishte përjashtuar nga Gjermania si non grata gjatë mandatit të tij si diplomat i SHBA-së në Gjermani. Arsyeja: shërbimi informativ gjerman BND besonte se Grenell ishte i përfshirë me partinë e ekstremit të djathtë AfD. Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se AfD financohej nga para me origjinë ruse dhe se doktrina politike e saj kishte gjurmë nga Kina”, deklaroi ai.
Qaka iu referua edhe një hulumtimi të Uashington Post për pagesat që, sipas tij, Grenell kishte marrë nga një fondacion hungarez.
“Një hulumtim nga The Uashington Post zbuloi gjithashtu se Grenell u pagua nga një fondacion hungarez, i lidhur ngushtë me interesa shtetërore dhe agjendën politike të Kremlinit, në vitin 2023”, tha ai.
Ai përmendi edhe dekorimin e Grenellit nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Një muaj e një ditë pasi Serbia e sulmoi veriun e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dekoroi ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me ‘Urdhrin e Flamurit të Serbisë’, për, siç u shpreh Vuçiq, shërbim të dalluar në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe SHBA-së. Po ashtu, Vuçiq deklaroi se Grenell është një mik i vërtetë i Serbisë”, u shpreh Qaka.
Sipas tij, gjasat që institucionet të konstituohen janë të vogla dhe Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, që ai pret të mbahen në dhjetor.
“Pra, nuk mendoj se do të kemi konstituim të institucioneve dhe do të zvarriten proceset deri në zgjedhje të reja, që me gjasë do të mbahen në dhjetor. Nuk do të ketë mundësi që të emërohet presidenti i ri; aktualisht nuk janë votat dhe nuk pritet që të jenë. Edhe nëse do të kemi kandidat tjetër për president, thjesht dhe qartë, opozita dëshiron zgjedhjet dhe këta 6 deputetë të LDK-së po ashtu”, tha ai.
Qaka paralajmëroi pasoja për LDK-në nëse vendi shkon në zgjedhje në një situatë të përçarë.
“Nëse shkohet në zgjedhje kështu, e përçarë LDK-ja, do të pësojë shumë. Mendoj se Lumiri e shpëtoi rënien edhe më të madhe të LDK-së, me gatishmërinë për themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve”, deklaroi Qaka.
Ai kritikoi edhe disa figura të larta të LDK-së, duke ia atribuar një pjesë të përgjegjësisë për rënien e partisë Kujtim Shalës.
“Në fakt, rezultatet e dobëta që ka marrë LDK-ja në këto 3 zgjedhje radhazi, nga viti 2025, ka faj, kuptohet, edhe Abdixhiku, por shumë, shumë më tepër janë disa anëtarë të lartë të tjerë të LDK-së që janë duke e dëmtuar LDK-në dhe fajin kryesor për këtë rënie të LDK-së e ka njëri nga ideatorët kryesorë të LDK-së, politikani me më ndikim në LDK, Kujtim Shala, që ka luajtur rol destruktiv në vetë partinë e tij, duke i sjellë rënie partisë”, tha Qaka.
Ai e kritikoi Shalën edhe për qëndrimet e tij politike, duke shtuar se, sipas tij, ai ka qenë i dëmshëm edhe në raport me interesin kombëtar.
“Por shumë i dëmshëm edhe si politikan me qëndrime dhe veprime politike ndaj interesit kombëtar”, u shpreh Qaka.
Në fund, analisti parashikoi se Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje dhe me të njëjtat probleme politike.
“Sipas të gjitha gjasave, prapë do të kemi zgjedhje dhe prapë do të kemi probleme të njëjta”, tha ai.
Ndërkaq, Qaka ngriti edhe pretendimin se procesi i konstituimit të Kuvendit ka kaluar afatin kushtetues. Ai iu referua nenit 66, paragrafit 1 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve.
“Sa i përket konstituimit të institucioneve, mendoj se Kurti ka shkelur Kushtetutën; kjo zvarritje është antikushtetuese. Konstituimi i Kuvendit është afati 30-ditor. Neni 66, paragrafi 1 i Kushtetutës e thotë tekstualisht: ‘Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve’”, deklaroi Qaka.
Sipas tij, nëse rezultatet janë certifikuar më 8 korrik, afati 30-ditor ka përfunduar më 7 gusht.
“KQZ-ja i certifikoi rezultatet më 8 korrik 2026. Nëse e bëjmë llogaritjen e thjeshtë pa ndërprerje, dita e certifikimit, 8 korriku, nuk numërohet, pasi dita e parë e afatit është 9 korriku, kështu që nga 9 korriku deri më 31 korrik janë 23 ditë, ndërsa 7 ditët e mbetura për të plotësuar plotësisht afatin 30-ditor bien në muajin gusht, gjë që e përmbyll këtë afat saktësisht më 7 gusht 2026, në orën 24:00”, tha ai.
Qaka kundërshtoi interpretimin se brenda këtij afati mjafton vetëm të thirret seanca ose të hapen dyert e Kuvendit.
“Disa po mundohen të kapen pas fjalës ‘mbahet’, duke pretenduar se mjafton vetëm të thirret seanca apo të hapen dyert e Kuvendit brenda 30 ditëve, por kjo analizë është e gabuar dhe manipulative. Në gjuhën e ligjit dhe në gjuhën popullore, shprehja ‘seanca mbahet brenda 30 ditëve’ nënkupton se e gjithë puna e asaj seance duhet të kryhet dhe të përmbyllet plotësisht brenda atij afati. Nuk mund të thuash ‘u mbajt dasma’ nëse vetëm janë hapur dyert e sallës e nuk është zhvilluar ceremonia, ashtu siç nuk mund të thuash ‘u mbajt seanca’ nëse ajo ndërpritet pa zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët”, u shpreh Qaka.
Ai iu referua edhe një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se ky institucion e ka sqaruar se afati 30-ditor duhet të kuptohet si afat brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet.
“Këtë e ka sqaruar katërcipërisht edhe Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 140 të Aktgjykimit të saj, ku thuhet tekstualisht: ‘Duke marrë për bazë elaborimet e mësipërme, Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat… është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi’”, tha Qaka.
Në përfundim, ai argumentoi se afati është prekluziv dhe se çdo veprim pas skadimit të tij është, sipas tij, jashtë kornizës kushtetuese.
“Pra, afati 30-ditor nuk është thjesht një datë për të provuar apo për të bërë një tentativë formale, por është afat prerës (prekluziv) brenda të cilit Kuvendi duhet të zgjedhë në mënyrë përfundimtare organet e veta drejtuese. Çdo vonesë apo seancë e zgjatur përtej datës 7 gusht 2026 është jashtë kornizës kushtetuese, pasi afati ka skaduar zyrtarisht më 7 gusht dhe çdo veprim tjetër përtej kësaj date përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Aktit Suprem të shtetit”, deklaroi ai.
Qaka tha se nuk e sheh si zgjidhje kërkesën që çështja të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese për të përcaktuar skadimin e afatit.
“Ndërsa afati ka skaduar, dikush mund të deklarojë me komoditet: ‘Nëse mendoni se u shkel Kushtetuta, dërgojeni rastin në Gjykatën Kushtetuese!’ Këto lloj deklaratash janë vetëm një manovër politike për të blerë kohë dhe për t’i ikur përgjegjësisë. Nga këndvështrimi juridik, afati kushtetues skadon vetvetiu. Shkelja kushtetuese ka ndodhur automatikisht me kalimin e orës 24:00 të datës 7 gusht”, tha Qaka.
Ai përmbylli argumentin e tij duke thënë se një procedurë e re në Gjykatën Kushtetuese nuk do ta ndryshonte, sipas tij, faktin që afati ka kaluar.
“Gjykata Kushtetuese e ka dhënë tashmë interpretimin e saj obligativ dhe nuk ka nevojë për një vendim të ri për të numëruar ditët e kalendarit. Dërgimi i rastit në Gjykatë nuk e pezullon shkeljen dhe as nuk e bën kushtetuese një seancë që zhvillohet jashtë afatit prerës. Çdo veprim i ndërmarrë nga pas skadimit zhvillohet plotësisht në territorin e antikushtetutshmërisë”, përfundoi Qaka për “Bota sot”.
