Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një takim ministror në Washington D.C., kushtuar rritjes së rrezikut nga terrorizmi politik, i organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ministerial, duke vlerësuar se vendi ka mundësi të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave të sigurisë.
“Sot në Washington D.C. mora pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka thënë se kjo dukuri po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po shtrihet përtej kufijve shtetërorë, duke përdorur rrjete ndërkombëtare, financim dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike.
Konjufca ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në nismat ndërkombëtare që synojnë forcimin e bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë globale.
Postim i plotë:
Sot në Washington D.C. mora pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrëzikut nga terrorizmi politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ministerial është e rëndësishme, sepse i jep mundësinë vendit tonë të kontribuojë në parandalimin e terrorizmit politik dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë shoqëritë tona nga ky kërcënim. Kjo dukuri po merr forma gjithnjë e më të organizuara dhe po vepron përtej kufijve shtetërorë, duke shfrytëzuar rrjetet ndërkombëtare, financimin dhe hapësirën digjitale për të cenuar stabilitetin dhe institucionet demokratike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik. Bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për mbrojtjen e vlerave mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona.
Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes e sigurisë.
