Lajme

Kosova në zgjedhje të reja – por a duhej të shmangej kjo situatë?

Dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues e ka futur vendin në një situatë të re politike, duke çuar në shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.

Ky zhvillim thekson jo vetëm mungesën e konsensusit politik mes forcave parlamentare, por edhe sfidat e vazhdueshme të funksionimit institucional në vend.

Në këtë kontekst, vendi hyn në një periudhë të re elektorale, ku qytetarët do të kenë sërish mundësinë të përcaktojnë përfaqësimin e tyre politik dhe drejtimin e ardhshëm të institucioneve.

Deputetët nuk arritën të zgjedhin presidentin për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita bojkotoi seancën. Kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan.

Nga njëra anë, Lëvizja Vetëvendosje fajëson opozitën për bllokadën institucionale, ndërsa nga ana tjetër, opozita kërkoi një marrëveshje më të gjerë politike për postin e presidentit.

Rexhepi: Retorika bllokuese, refuzimi i çdo kompromisi dhe insistimi në krizë politike, thirrje për protesta, i shërbejnë më shumë një klime destabilizuese sesa një demokracie funksionale

Analisti Agim Rexhepi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se, moszgjedhja e Presidentit nuk është vetëm krizë e brendshme, por lidhet edhe me ndikime të jashtme destabilizuese. 

Image
Agim Rexhepi

Ai kritikon opozitën që nuk propozi kandidatë dhe përdori retorikë bllokuese, si dhe disa analistë që, sipas tij, përhapin narrativë përçarëse dhe rrisin mosbesimin ndaj institucioneve.

Dështimi për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues nuk mund të shihet i izoluar vetëm si krizë e brendshme politike. Kjo situatë, për fat të keq, bart edhe elemente të ndikimeve të jashtme dhe narrativave të importuara që prej kohësh përpiqen ta destabilizojnë skenën politike në vend.

Është e qartë se opozita, përkundër thirrjeve nga Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së kryetarit të shtetit Albulena Haxhiu, për sjelljen e emrave per kryetarë të shtetit, opozita në vend që të dorëzojnë emrat e kandidatëve dhe të ndërtojë një qëndrim të pavarur dhe shtetformues, ka rënë pre e diskurseve që rezonojnë me interesa që nuk burojnë nga Beogradi, por që shpesh përkojnë me to. Retorika bllokuese, refuzimi i çdo kompromisi dhe insistimi në krizë politike, thirrje per protesta, i shërbejnë më shumë një klime destabilizuese sesa një demokracie funksionale.

Po aq shqetësues është edhe roli i disa të ashtuquajturve “analistë”, të cilët në vend që të kontribuojnë me analiza profesionale dhe të balancuara, shpesh ushqejnë narrativë përçarëse, relativizojnë përgjegjësitë dhe, në raste të caktuara, krijojnë një klimë mosbesimi ndaj institucioneve. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi profesionale – është kontribuim i drejtpërdrejtë në thellimin e krizës”, thotë ai.

Mes tjerash, ai shton se, situata aktuale nuk është thjesht rezultat i një momenti të izoluar politik, por pasojë e një kulture të tërë vendimmarrjeje që shpesh ka vënë interesat afatshkurtra mbi stabilitetin institucional. 

Sipas tij, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi partitë politike, por edhe mbi akterët e tjerë që ndikojnë diskursin publik.

Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të imponuara nga ky dështim, do të mund të shmangeshin nëse do të kishte një minimum vullneti për të mbrojtur interesin shtetëror. Por kur kalkulimet politike ndërthuren me ndikime të jashtme dhe me amplifikim mediatik të qëndrimeve destruktive, atëherë kriza bëhet pothuajse e pashmangshme.

Ajo që pritet nga këto zgjedhje mbetet e pasigurt: ato mund të sjellin një qartësim të skenës politike, por ekziston rreziku real që të prodhojnë të njëjtat bllokada, ndoshta edhe më të thella. Nëse nuk ndryshon qasja – si e opozitës, ashtu edhe e atyre që formësojnë opinionin publik – vendi rrezikon të mbetet peng i krizave të përsëritura.

Në fund, qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale dhe vendimmarrje të pavarur – jo politika që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, ndikohet nga jashtë apo nga interesa që nuk përkojnë me të ardhmen e vendit”, deklaron ai.

Jakupi: Zgjedhjet e reja pritet të jenë një test i rëndësishëm për skenën politike dhe për vetë qytetarët

Image
Zejnullah Jakupi

Edhe analisti politik, Zejnullah Jakupi vlerëson se situata në Kosovë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit tregon krizë institucionale dhe mungesë të theksuar konsensusi politik. 

Sipas tij, partitë kanë vendosur interesat partiake mbi ato shtetërore dhe kanë dështuar të arrijnë kompromis, që është thelbësor në një demokraci parlamentare.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” thekson se, mekanizmat kushtetues kanë funksionuar—shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rrugëdalje legjitime. 

“Situata e fundit e krijuar në Kosova, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues, përbën një moment të rëndësishëm politik që reflekton si krizën e brendshme institucionale, ashtu edhe funksionimin formal të rendit kushtetues. Ky zhvillim dëshmon qartë mungesën e konsensusit politik dhe nivelin e lartë të polarizimit ndërmjet subjekteve politike, të cilat nuk arritën të vendosin interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake.

Dështimi për të zgjedhur një figurë unifikuese për postin e presidentit tregon jo vetëm për përçarje politike, por edhe për mungesë të kulturës së kompromisit, e cila është thelbësore në një demokraci parlamentare. Në sisteme të tilla, zgjedhja e presidentit shpesh kërkon bashkëpunim ndërpartiak dhe një qasje më gjithëpërfshirëse, çka në këtë rast ka munguar dukshëm.

Megjithatë, shpërndarja automatike e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda afatit prej 45 ditësh janë mekanizma të paraparë me Kushtetutë për të shmangur bllokadën e zgjatur institucionale. Kjo nënkupton se, pavarësisht krizës politike, sistemi juridik dhe kushtetues ka funksionuar duke ofruar një rrugëdalje legjitime dhe demokratike nga situata e krijuar. 

Nëse kjo situatë do të duhej të ishte shmangur, përgjigjja është po – në kuptimin që një kompromis politik do të kishte qenë zgjidhja më e qëndrueshme dhe më pak e kushtueshme për vendin. Zgjedhjet e jashtëzakonshme bartin kosto financiare, krijojnë pasiguri politike dhe mund të vonojnë procese të rëndësishme shtetërore. Megjithatë, në mungesë të vullnetit për kompromis, ato mbeten instrumenti i vetëm demokratik për të rikthyer funksionalitetin institucional”, shprehet Jakupi.

Sipas analistit, zgjedhjet e reja në Kosovë do të jenë test për politikën dhe qytetarët: mund të sjellin rikonfigurim të forcave, ndëshkim për përgjegjësit ose një shumicë më të qartë. Megjithatë, paralajmëroi se ekziston rreziku i vazhdimit të fragmentimit dhe krizës. 

Ai konsideron se përgjegjësia është edhe e votuesve dhe se stabiliteti arrihet vetëm përmes dialogut dhe kompromisit.

Zgjedhjet e reja pritet të jenë një test i rëndësishëm për skenën politike dhe për vetë qytetarët. Ato mund të prodhojnë disa rezultate të mundshme: një rikonfigurim të raporteve të forcave politike, ndëshkim elektoral për subjektet që perceptohen si përgjegjëse për krizën (opozita) ose forcim të një shumice më të qartë që do të mundësonte zgjedhjen më të lehtë të institucioneve kyçe në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, ekziston edhe rreziku që rezultati zgjedhor të mbetet i fragmentuar, duke prodhuar një situatë të ngjashme me atë aktuale dhe duke e zgjatur ciklin e krizave politike. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi subjektet politike, por edhe mbi elektoratin, i cili përmes votës së tij mund të ndikojë në krijimin e një konfigurimi më funksional institucional.

Në përfundim, kjo situatë duhet të shërbejë si një reflektim serioz për klasën politike në Kosova mbi nevojën për më shumë bashkëpunim, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Vetëm përmes dialogut dhe kompromisit mund të sigurohet stabilitet afatgjatë dhe funksionim efektiv i institucioneve në shërbim të qytetarëve”, përfundon Jakupi për “Bota sot”.

Të Ngjashme