“Kosova nën presionin e një opozite pa vizion”
Veprimtari Halil Geci ka kritikuar opozitën për, sipas tij, bllokimin e proceseve institucionale dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis politik.
Ai vlerëson se refuzimi për të bashkëpunuar rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të reja dhe ta thellojë krizën institucionale.
Geci thekson se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe se institucionet duhet të funksionalizohen sa më shpejt.
Ai shton se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucione funksionale, e jo për, siç shprehet ai, bllokada dhe përplasje të vazhdueshme politike.
Shkrimi i plotë i Gecit:
KOSOVA NËN PRESIONIN E NJË OPOZITE PA VIZION
BOJKOTI POLITIK I OPOZITËS RREZIKON TA MBAJË VENDIN NË NJË KRIZË TË PËRHERSHME
Kur interesi partiak vendoset mbi interesin shtetëror, qytetarët mbeten peng të krizave të pafundme politike. Refuzimi i kompromisit për ndërtimin e institucioneve po e shtyn Kosovën drejt një tjetër përballjeje zgjedhore.
Kosova po përballet sërish me një situatë të rëndë politike. Problemi kryesor është mungesa e një opozite të fuqishme, të organizuar dhe të gatshme për të marrë përgjegjësi përmes dialogut dhe kompromisit politik.
Refuzimi i vazhdueshëm i kompromisit nga ana e opozitës rrezikon të sjellë një tjetër krizë institucionale. Të bindur se zgjedhjet e ardhshme do t’u sjellin fitoren, ata po anashkalojnë faktin se tri palë zgjedhjet e fundit kanë treguar një dobësim të vazhdueshëm të tyre.
Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të parakohshme, pa një strategji të qartë dhe pa reflektim politik, opozita rrezikon të pësojë një humbje tjetër dhe të humbasë edhe më shumë ndikimin në skenën politike të Kosovës.
Në vend që opozita ta respektojë vullnetin e qytetarëve dhe t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve, ajo po vazhdon me bllokada politike dhe, me këtë qasje, rrezikon ta çojë vendin për herë të katërt në zgjedhje nacionale.
Një demokraci e shëndetshme kërkon respektimin e vullnetit të qytetarëve, përgjegjësi politike dhe gatishmëri për dialog e kompromis, jo zgjatje të krizave institucionale që dëmtojnë funksionimin e shtetit.
Fituesi i zgjedhjeve, sipas vullnetit të shprehur të qytetarëve, pret që opozita të ndërgjegjësohet dhe të japë kontributin e saj në zgjedhjen e presidentit, si dhe në formimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Fatkeqësisht, ajo po vepron në të kundërtën, duke mos kontribuar në tejkalimin e situatës dhe në funksionalizimin e institucioneve të vendit.
Në vend që të kërkojë rrugë bashkëpunimi, opozita po zgjedh përplasjen politike dhe refuzimin e marrëveshjeve institucionale.
Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: a po mbrohet interesi i Kosovës, apo interesi i ngushtë i disa qarqeve opozitare që synojnë të rikthehen në pushtet përmes krizave të vazhdueshme?
A është kjo qasje në shërbim të qytetarëve dhe të stabilitetit institucional, apo thjesht një përpjekje për të krijuar bllokada politike për interesa partiake?
Një vend nuk mund të ecë përpara kur çdo proces institucional shndërrohet në betejë për rrëzimin e kundërshtarit politik. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të kundërshtuar; demokracia është edhe përgjegjësia për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe për të mos e mbajtur shtetin peng.
Opozita po përpiqet ta paraqesë refuzimin e zgjedhjes së presidentit dhe shtyrjen e vazhdueshme drejt zgjedhjeve të reja si mjetin e vetëm për të ndryshuar një rezultat që qytetarët tashmë e kanë përcaktuar përmes votës së tyre në tri palë zgjedhje.
Sipas kritikëve të saj, opozita ka rënë nën ndikime të jashtme dhe po vepron në mënyrë që pengon funksionimin e institucioneve. Po ashtu, janë ngritur pretendime se Serbia ka investuar mjete financiare për të ndikuar në bllokimin e proceseve politike në Kosovë, me synimin për ta rikthyer opozitën në pushtet dhe për të realizuar marrëveshje që, sipas këtyre kritikëve, janë të dëmshme për interesat e vendit.
Këto nuk janë më vetëm akuza politike. Populli i Kosovës tashmë e ka dhënë verdiktin e tij përmes votës. Pikërisht për shkak të bllokadave të vazhdueshme, mungesës së përgjegjësisë dhe interesave partiake, qytetarët e kanë ndëshkuar opozitën në zgjedhje.
Vota e qytetarëve duhet të respektohet, ndërsa institucionet duhet të ndërtohen mbi vullnetin e shumicës, e jo të mbahen peng nga bllokadat politike.
Kosova nuk mund të mbetet peng i luftës së përhershme për pushtet. Nuk mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm duke e kthyer çdo institucion në arenë për hakmarrje politike.
Në fund, vendimin do ta japë populli. Zgjedhjet e ardhshme, nëse mbahen, do të jenë një test edhe më i madh: jo vetëm për partitë politike, por edhe për qytetarët, të cilët do të vendosin nëse duan vazhdimësinë e krizave apo një rrugë drejt stabilitetit.
Historia politike i mban mend ata që punojnë për forcimin e shtetit, por edhe ata që, për interesa afatshkurtra, e mbajnë një vend të tërë në pasiguri.
Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për një cikël të pafund përplasjesh politike.
