Mijëra qytetarë nga Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe diaspora u mblodhën të shtunën në qendër të Prishtinës në “Marshin për Liri”, të organizuar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Marshi u zhvillua vetëm katër ditë para datës së paralajmëruar për shpalljen e aktgjykimit përfundimtar në rastin ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Nëna Terezë”, sheshi “Zahir Pajaziti” dhe rrugët që i lidhin ato u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj kombëtarë, flamuj të Kosovës dhe emblema të UÇK-së. Në tubim morën pjesë veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe të të akuzuarve, përfaqësues politikë dhe qytetarë të ardhur nga komuna të ndryshme.
Platforma qytetare “Liria ka Emër”, organizatore e marshit, deklaroi pas përfundimit të tij se pjesëmarrja kishte arritur në rreth 100 mijë qytetarë. Kjo shifër është vlerësim i organizatorëve dhe deri tani nuk është konfirmuar nga ndonjë institucion i pavarur.
Sipas platformës, marshi kishte për qëllim të përcillte një mesazh solidariteti me katër ish-krerët e UÇK-së, si dhe të kërkonte lirimin dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha para pjesëmarrësve se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm. Ai vlerësoi se lufta çlirimtare dhe sakrifica e popullit të Kosovës nuk mund të zhbëhen nga asnjë proces gjyqësor.
Në marsh foli edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ai kërkoi që gjyqtarët në Hagë të marrin parasysh, siç tha, pasojat e vendimit që do të shpallet më 16 shtator. Hamza deklaroi se një aktgjykim që pjesëmarrësit dhe qytetarët do ta konsideronin të padrejtë nuk do të pranohej lehtë në Kosovë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kishin luftuar për lirinë e vendit dhe se historia e luftës çlirimtare të Kosovës nuk mund të njolloset.
Pas përfundimit të marshit, Qeveria e Kosovës falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për organizimin dhe sjelljen e tyre. Policia e Kosovës njoftoi se tubimi përfundoi i qetë dhe pa incidente.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit filloi më 3 prill 2023. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte. Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar, krimet për të cilat ngarkohen katër të akuzuarit lidhen me periudhën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe me ngjarje në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e çështjes së Prokurorisë kishte përfunduar në prill të vitit 2025, ndërsa mbrojtja e përmbylli paraqitjen e provave në dhjetor të po atij viti. Deklaratat përfundimtare u mbajtën në shkurt të vitit 2026.
Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin për shpalljen e aktgjykimit në seancë publike. Ky pritet të jetë njëri ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj gjykate që nga themelimi i saj.
Marshi i së shtunës përfundoi me këngë patriotike, ndërsa organizatorët përsëritën kërkesën që katër ish-drejtuesit e UÇK-së të shpallen të pafajshëm. / BS
