Aktuale

Kosovë/ Nisin lëvizjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale, deputetët mbledhin firmat për seancë

Vetëm pak orë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, në Kuvendin e Kosovës kanë nisur lëvizjet për diskutimin e mundësisë së zhbërjes së kësaj gjykate.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, deputetë të partive opozitare kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me zhbërjen e Gjykatës Speciale si pikë të vetme të rendit të ditës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan në vitin 2015, pas ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës dhe miratimit të Nenit 162. Institucioni ka mandat për hetimin dhe gjykimin e akuzave për krime të pretenduara të luftës dhe pasluftës.

Megjithatë, procedura për shpërbërjen e saj konsiderohet juridikisht e ndërlikuar. Sipas kuadrit kushtetues, mandati i Dhomave të Specializuara lidhet me përfundimin e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, ndërsa çdo nismë për ndryshimin e statusit të saj do të përballej me kërkesa dhe detyrime ndërkombëtare.

Nisma e deputetëve vjen në një ditë kur vendimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar reagime të forta politike dhe publike në Kosovë.

Të Ngjashme