Lajme

Qytetarët në protestë kundër vendimit të Speciales: Kërkojnë vazhdimin e tyre paqësisht dhe reagim institucional

Qytetarë të mbledhur në protestën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Disa prej protestuesve e kanë konsideruar vendimin të padrejtë, ndërsa kanë bërë thirrje që protestat të vazhdojnë në mënyrë paqësore.

Nazif Fllanza e ka cilësuar protestën si të zbehtë, duke thënë se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndër më të këqijtë.

Fllanza: Apeloj për grevë popullore, por në mënyrë paqësore

“Protestë e zbehtë. Një vendim i vështirë, më i keqi. Dashtë Zoti, një vendim jo i vlefshëm. Janë dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë dhënë gjithçka për Kosovën. Është bërë një krim ndaj UÇK-së…. Hashim Thaçi dhe shokët e tij u dënuan me 25 vjet burg, që e kanë mbrojtur shtetin dhe kisha bërë apel te popullata të organizojë një grevë popullore në mënyrë paqësore…. Mendoj që protesta të jetë sa më paqësore dhe populli të vetëdijesohet dhe të vendoset në një grevë masive”, tha ai.

Ndërsa, qytetari Arton Klona nga Drenasi ka thënë se protestat duhet të vazhdojnë deri në marrjen e ndonjë mase lidhur me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Klona: Nuk do të ndalemi derisa të merret diçka për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

“Sot gjithë natën, deri të merret diçka ndaj tyre. Të merret edhe Parlamenti, të dalë para nesh dhe të na japë të drejtat tona të protestojmë deri në lirimin e ushtarëve të UÇK-së, sepse u është bërë e padrejtë ndaj tyre. Masa do të kemi, veç po i presim edhe disa udhëheqës të UÇK-së, se na kanë thënë se do të presim, do të mobilizohemi së bashku dhe të shohim se si do të vazhdojmë këto ditë e tutje. Nuk besoj se do të ndalemi deri të merret diçka ndaj UÇK-së, ndaj atyre që gjenden në Hagë”, tha ai.

Ndërsa Avni Ulluri ka kritikuar numrin e vogël të pjesëmarrësve në protestë, duke thënë se ajo është simbolike.

Ulluri: Nuk përkrahim masa radikale, reagimet duhet të jenë paqësore

“Protesta është simbolike, me 200 vetë kurgjo s’bën Kosova me 200 vetë. Shteti është dënuar, jo udhëheqësit, por shteti. Edhe këtu kanë me ardhë, qysh kanë nisë kanë me ardhë në Kosovë. Ta shohim tash. Unë kam ardhur prej Gjermanie. Me kanë vazhdu pak, përkrahje shumë pak është”, tha ai.

Ulluri ka bërë të ditur se nuk mbështet masa radikale, duke theksuar se reagimet duhet të jenë paqësore.

Të Ngjashme