Profesori Milazim Krasniqi ka komentuar paraqitjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pas verdiktit të sotëm në Hagë.
Krasniqi thotë se Vuçiqi shfaqi pakënaqësi ndaj procesit dhe dënimit, duke pretenduar se viktimat serbe nuk janë adresuar dhe se Serbia përballet vazhdimisht me presion ndërkombëtar.
Sipas tij, presidenti serb përmendi edhe deklarata të zyrtarëve shqiptarë, bashkëpunimin ushtarak Kroaci–Shqipëri–Kosovë dhe fuqizimin ushtarak të Serbisë, për t’u rikthyer më pas te mesazhi për dialog dhe paqe. Krasniqi e cilëson këtë si mënyrën se si Serbia dhe Vuçiqi ndërthurin politikën dhe propagandën, ndërsa kritikon mungesën e një kundërpërgjigjeje të qartë politike dhe propagandistike nga shqiptarët, veçanërisht nga Kosova.
Ai thekson se duhet të largohet politika nga “folklorizimi” dhe të ndërtohen qëndrime më të qarta politike.
Postimi i plotë:
E ndoqa paraqitjen e presidentit të Serbisë, Vuçiqit, ku bëri komente e vlerësime për verdiktin e sotëm në Hagë. Ai vazhdon të jetë mjeshter që kombinon politikën imperiale dhe propagandën efektive. Me këtë rast Vuçiqi shfaqi pakënaqësi të madhe me procesin e me dënimin, u ankua se nuk janë adresuar viktimat serbe, vlerësoi se bota e urren Serbinë dhe i bën presion Serbisë për gjjithçka, ndërsa të tjerët i shpërblen (!), citoi disa postime të shtetarëve e qeveritarëve shqiptarë, që nga Bajram Begaj, Afrim Gashi, ministri Gjeloshaj (në Malin e Zi), përmendi akordin ushtarak Kroaci-Shqipëri-Kosovë, po edhe fuqizimin ushtarak të Serbisë, etj. Pas tiradave të tilla politike e propagandistike, tha se Serbia angazhohet për dialog e për paqe. Kjo është politika e Serbisë dhe e Vuçiqit: ta hap gropën e të fut në të, ndërsa ankohet se vetë ka ra në gropë. Kjo është dokrina serbe e politikës imperiale. Ne shqiptarët, sidomos ne në Kosovë, nuk kemi kundërpërgjigje për këtë politikë. Ne ende presim që të tjerët të na i formulojnë qëndrimet politike, ndërsa propagandën e kemi zero. (Sot besoj u bindëm se si na i formulojnë të huajt qëndrimet.) P.S. Koha e fundit që të shkëputemi nga folklorizimi i politikës.
