Trupi Gjykues konstatoi se të paktën 385 persona u arrestuan dhe u mbajtën pa bazë ligjore në 14 komuna të Kosovës dhe në disa vende në veri të Shqipërisë.
Përmbledhja e aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë përshkruan kushtet në të cilat mbaheshin personat e konsideruar kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, ndërmjet prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, të paktën 385 persona u privuan arbitrarisht nga liria në vende ndalimi të kontrolluara nga pjesëtarë të UÇK-së.
Arrestimet dhe ndalimet u kryen në 14 komuna të Kosovës, si dhe në disa lokacione në dy qarqe të veriut të Shqipërisë.
Shumë persona, sipas vendimit, u morën nga shtëpitë ose u ndaluan në rrugë. Gjatë arrestimit, disa prej tyre u rrahën, u fyen, iu lidhën sytë, duart ose këmbët dhe iu konfiskuan sendet personale.
Në vendet e ndalimit, ata mbaheshin në dhoma të mbyllura ose të ruajtura nga persona të armatosur. Shumë të ndaluar ishin të lidhur me zinxhirë, me pranga ose me duar të lidhura.
Një dëshmitar i mbajtur në Llapushnik tregoi se në një stallë kishte parë së paku shtatë persona të lidhur me zinxhirë “si kafshë”.
Një person tjetër, i ndaluar në Cahan, dëshmoi se duart i kishte pasur të lidhura për 20 ditë pa ndërprerje.
Trupi Gjykues konstatoi se të ndaluarve nuk u tregohej zyrtarisht arsyeja e arrestimit, nuk dërgoheshin para gjyqtarit dhe nuk u jepej mundësia ta kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit.
Në mesin e të ndaluarve kishte mësimdhënës, bujq, pylltarë, punëtorë, gra dhe fëmijë. Gjykata tha se, me disa përjashtime shumë të kufizuara, nuk kishte prova që këta persona kishin kryer veprimtari kriminale, kishin marrë pjesë në luftime ose përbënin rrezik të ligjshëm për UÇK-në.
Për këto arsye, Trupi Gjykues konstatoi se ishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar ndaj të paktën 385 personave.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.
