Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) reagoi ndaj mohimit kësaj organizate të jetë qasje në fletëpoentimet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Kjo organizatë thekson se në rastin e një pozite kaq të rëndësishme institucionale, ku përzgjedhja ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit prokurorial dhe besimin e qytetarëve në drejtësi, procesi i vlerësimit duhet të jetë i shoqëruar me standarde të larta të transparencës dhe arsyetimit të vendimmarrjes.
“Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) si organizatë që i ka monitoruar nga afër të gjitha fazat e deritanishme të konkursit për Kryeprokuror të Shtetit dhe me qëllim të vlerësimit sa më objektiv të të gjithë procesit, më datë 2 korrik 2026, një ditë pas intervistimit të kandidatëve, ka parashtruar kërkesë në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për lejimin e qasjes në fletëpoentimet e Panelit Vlerësues. Në rastin e një pozite kaq të rëndësishme institucionale, ku përzgjedhja ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit prokurorial dhe besimin e qytetarëve në drejtësi, procesi i vlerësimit duhet të jetë i shoqëruar me standarde të larta të transparencës dhe arsyetimit të vendimmarrjes.
Bazuar në afatin prej 7 ditësh që përcakton Ligji Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, KPK ka zgjedhur heshtjen në raport me këtë kërkesën, duke mos respektuar detyrimet ligjore dhe praktikën që ka vendosur tashmë Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në raport me të drejtën e qasjes së OJQ-ve në fletëpoentimet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Andaj, mungesa e vullnetit institucional të KPK-së që të lejojë qasje në këto dokumente paraqet një sinjal negativ në pritshmëritë e publikut mbi ndryshimet ligjore dhe reformën e synuar në këtë organ kushtetues.
Refuzimi i heshtur për të dhënë qasje krijon paqartësi të panevojshme dhe nuk përputhet me pritshmëritë për një institucion kushtetues që synon forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit publik.
Qasja në këto fletëpoentime është e domosdoshme për të mundësuar një vlerësim të drejtë, të plotë dhe të bazuar të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe për të verifikuar nëse vendimmarrja institucionale është zhvilluar në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me parimet e transparencës dhe meritokracisë.
Prandaj, GLPS sot ka dorëzuar ankesë kundër KPK-së në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kërkuar që e njëjta ta obligojë Këshillin për të lejuar qasje në fletëpoentimet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit që janë intervistuar më datë 1 korrik 2026”, thuhet në reagimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.
