Deputeti Nezir Kraki, ka përshëndetur publikisht qasjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Kraki ka thënë se Abdixhiku, sipas tij, me të drejtë ka tentuar t’ia rikthejë LDK-së rolin e një partie që mundëson funksionimin e institucioneve dhe jo një partie që i bllokon ato.
“Dua ta përshëndes publikisht qasjen e Kryetarit të LDK-së lidhur me çështjen e presidentit”, ka shkruar Kraki.
Ai ka vlerësuar se synimi ka qenë që LDK-ja të rikthejë rolin e saj si faktor që mundëson funksionimin institucional të vendit.
“Lumir Abdixhiku me të drejtë deshi t’ia rikthente LDK-së rolin që i takon, dmth rolin e një partie që ua mundëson gjërave të bëhen, jo që i bllokon ato”, ka deklaruar ai.
Sipas Krakit, prioritet duhet të jetë funksionimi i institucioneve të Kosovës, ndërsa ka kritikuar atë që e ka quajtur “logjika e komitave”.
“Gjënë më të rëndësishme për ne të gjithë, Kosovën me institucione”, ka shkruar Kraki.
Në fund, deputeti ka bërë edhe një paralajmërim politik, duke iu referuar zhvillimeve brenda LDK-së.
“LDD e re do ta ketë fatin e LDD-së së vjetër”, ka përfunduar ai.
