Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi se në Hagë u takua me Kadri Veselin.
Ai tha Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë, për ta takuar Kryetarin Kadri Veseli. Edhe pas gjithë këtyre viteve të gjata e të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.
Si gjithmonë, i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet. Kjo pritje e gjatë nuk është e lehtë për askënd, sidomos kur vendimi vazhdon të shtyhet dhe procesi zvarritet pafundësisht.
Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në të drejtën që ky proces të marrë fund sa më parë, me një vendim të drejtë, të pa ndikuar dhe përfundimtar.
Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Deri atëherë, keni të fala të gjithë nga Kryetari dhe shokët e tij!”, shkroi Krasniqi.
