Lajme

Kreu i Shtabit të SHBA-së: Marina Amerikane ka bllokuar portet iraniane dhe ka ridrejtuar 13 anije

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se që nga e hëna kanë zbatuar një bllokadë ndaj të gjitha anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane, sipas një njoftimi zyrtar ushtarak.

Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Dan Caine, në një konferencë të përbashkët me ministrin e mbrojtes, Pete Hegseth, tha se Marina amerikane ka urdhëruar gjithsej 13 anije të kthehen drejt Iranit, tre më shumë se shifra e raportuar një ditë më parë, shkruan BBC.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Marina amerikane ka kthyer mbrapsht ndonjë anije që dyshohej se po lëvizte drejt porteve iraniane, në vend të atyre që po largoheshin prej tyre.

Caine tha se këto veprime lidhen me drejtimin e Presidentit Trump për një armëpushim dhe shtoi se forcat amerikane mbeten të gatshme për të rifilluar luftimet “fjalë për fjalë në çdo moment njoftimi”.

Ai sqaroi gjithashtu se masa e ndërmarrë nga SHBA përbën një bllokadë të porteve dhe vijës bregdetare të Iranit, dhe jo të Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, kjo zbatohet për të gjitha anijet, pavarësisht kombësisë, që lëvizin drejt ose nga portet iraniane.

“Zbatimi i masave do të ndodhë brenda deteve territoriale të Iranit dhe në ujërat ndërkombëtare.”

Një hartë grafike e Gjirit, e publikuar 24 orë pas fillimit të bllokadës, tregon statusin e situatës dhe thekson 13 anijet që sipas Caine “bënë ‘zgjedhjen e mençur’ të kthimit prapa”.

Ai shtoi gjithashtu se çdo anije që tenton të shkelë bllokadën “do të trajtohet në përputhje me rrethanat”.

Deri tani, sipas tij, Komanda Qendrore e SHBA-së nuk është detyruar të ndërmarrë hipje në asnjë anije.

Të Ngjashme