Lajme

Krimi kibernetik, terrorizmi e kontrabanda, ish hetuesi tregon sfidat e reja të Policisë së Kosovës

Me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ish hetuesi dhe ish instruktori në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri, Agim Rexhepi, ka kujtuar rrugëtimin e këtij institucioni, nga ditët e para të themelimit e deri te zhvillimi i tij si një nga shtyllat kryesore të Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për “Bota sot”, Rexhepi ka rrëfyer përvojën e tij në ditët e para të Policisë së Kosovës, duke theksuar se për të 27-vjetori nuk është thjesht një datë në kalendar, por një pjesë e rëndësishme e jetës dhe historisë së tij profesionale.

“Sot, kur Policia e Kosovës shënon 27-vjetorin e themelimit, për mua kjo nuk është vetëm një datë në kalendar. Është një pjesë e madhe e jetës sime, e kujtimeve të mia dhe e historisë së një institucioni të cilit i kam shërbyer me krenari.

Kam qenë pjesë e Policisë së Kosovës në ditët kur ajo sapo po ndërtohej. Kam qenë pjesëtar i saj, kam bartur uniformën dhe përgjegjësinë e saj, ndërsa më vonë kam pasur edhe nderin dhe përgjegjësinë të shërbej si instruktor në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri, aty ku janë edukuar dhe përgatitur gjenerata të reja të pjesëtarëve të sigurisë së Kosovës. Prandaj, kur sot e shoh Policinë e Kosovës, nuk e shoh vetëm si një institucion. E shoh si një pjesë të historisë që e kemi ndërtuar bashkë.

Në fillim nuk kishim as kushtet, as përvojën, as kapacitetet që i kemi sot. Kishim shumë më pak mjete, shumë më pak infrastrukturë dhe shumë më pak përvojë institucionale. Por kishim diçka që nuk mund të blihet me asnjë buxhet: vullnetin, guximin, përkushtimin dhe bindjen se Kosova duhej ta kishte policinë e saj profesionale dhe shtetin e saj të së drejtës”, ka thënë ai.

Image
Agim Rexhepi

Po ashtu, Rexhepi ka vlerësuar se gjatë 27 viteve Policia e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, duke u shndërruar në një institucion më profesional, më të fuqishëm dhe më të përgatitur.

“Dhe sot, pas 27 vitesh, mund të them me plot bindje: po, Policia e Kosovës është shumë më profesionale, më e fuqishme dhe më e përgatitur se në ditët e para të saj.

Por për mua, suksesi më i madh nuk është vetëm numri i policëve, pajisjet, teknologjia apo kapacitetet operative. Suksesi më i madh është fakti se nga një institucion që po hidhte hapat e parë, kemi arritur të ndërtojmë një institucion që sot është një prej shtyllave kryesore të Republikës së Kosovës.

Kur kujtoj ditët e para, sinqerisht, nuk e di nëse atëherë mund ta imagjinonim se Policia e Kosovës do të arrinte këtu ku është sot. Por e dinim një gjë: duhej të punonim që gjeneratat pas nesh të kishin një polici më të mirë se ajo që gjetëm ne.

Dhe kjo është ndoshta krenaria më e madhe e një instruktori: të shohësh njerëzit që dikur i ke mësuar, trajnuar dhe përgatitur, sot duke shërbyer në uniformë dhe duke mbrojtur qytetarët”, ka shtuar ai.

Ish-hetuesi ka veçuar edhe sakrificën e gjeneratave të para të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët shërbyen në kushte të vështira, por me një përgjegjësi të madhe historike.

“Një shtet nuk ndërtohet vetëm me institucione në letër. Shteti ndërtohet me njerëz që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të. Në vitet e para, shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës punuan në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shpesh pa komoditetin që kanë sot gjeneratat e reja, por me një përgjegjësi historike mbi supe.

Ata nuk po ndërtonin vetëm një vend pune. Po ndërtonin një institucion të Republikës së Kosovës.

Prandaj sot duhet t’i kujtojmë me respekt të gjithë ata burra dhe gra që kanë shërbyer në Policinë e Kosovës ndër vite. Duhet t’i kujtojmë edhe ata që nuk janë më në mesin tonë dhe veçanërisht pjesëtarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Sakrifica e tyre nuk është thjesht një kujtim; ajo është pjesë e themeleve mbi të cilat qëndron ky institucion”, ka vlerësuar ai.

Megjithatë, Rexhepi ka shtuar se përvjetori duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar të arriturat, por edhe për të reflektuar mbi sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës.

“Por 27-vjetori nuk duhet të jetë vetëm ditë krenarie. Duhet të jetë edhe ditë përgjegjësie.

Sepse Policia e Kosovës sot përballet me sfida shumë më të mëdha dhe më të sofistikuara. Krimi i organizuar, trafikimi, kontrabanda, krimi kibernetik, terrorizmi, siguria kufitare dhe situatat e ndërlikuara të sigurisë kërkojnë një polici që nuk ndalet së mësuari dhe së zhvilluari.

Sot nuk mjafton vetëm guximi. Duhet profesionalizëm, inteligjencë policore, teknologji, hetime moderne, trajnime të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Por mbi të gjitha, duhet ruajtur ajo që është themeli i uniformës: integriteti”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Rexhepi ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të mbetet e distancuar nga ndikimet politike dhe interesat individuale, ndërsa pjesëtarëve të rinj u ka bërë thirrje që uniformën ta bartin me krenari, por edhe me përgjegjësi.

“Policia e Kosovës duhet të jetë mbi politikën, mbi interesat individuale dhe mbi çdo ndikim tjetër. Policja dhe polici duhet t’i shërbejnë ligjit, qytetarit dhe Republikës së Kosovës. Dhe kam edhe një mesazh për pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës: Mos e harroni se uniforma që mbani sot është më shumë se një uniformë. Ajo përfaqëson besimin e qytetarit, sakrificën e një brezi dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës. Mbajeni me krenari, por edhe me përgjegjësi.

Sepse qytetari duhet ta shohë policin jo vetëm si një autoritet, por si mbrojtësin e tij. Një polic i mirë nuk matet vetëm me forcën që ka në dorë, por me drejtësinë, profesionalizmin dhe njerëzinë që tregon në çdo situatë. Unë sot jam në pension, por lidhja ime me Policinë e Kosovës nuk është në pension. Ajo mbetet pjesë e identitetit tim, sepse kam qenë aty kur po hidhnim hapat e parë. Kam shërbyer si pjesëtar. Kam pasur nderin të jem instruktor dhe të kontribuoj në përgatitjen e gjeneratave të reja. Dhe sot, kur e shoh këtë institucion të zhvilluar, e ndiej një krenari të veçantë.

Krenari jo vetëm për atë që kemi arritur, por edhe për atë që kemi lënë pas për gjeneratat që erdhën pas nesh. 27 vjet Polici e Kosovës janë 27 vjet sakrificë, përkushtim, profesionalizëm dhe krenari. Nga ditët e para të vështira deri te një institucion modern i Republikës së Kosovës, kjo është një histori që meriton të tregohet dhe të respektohet.

Nga ditët e para të vështira deri te një institucion modern i Republikës së Kosovës, kjo është një histori që meriton të tregohet dhe të respektohet.

Urime 27-vjetori të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ish-pjesëtarëve dhe pensionistëve, familjeve të tyre dhe në veçanti familjeve të atyre që dhanë më të shtrejtit e tyre për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë ne sot”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.

Të Ngjashme