Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka kritikuar opozitën për mungesë të një alternative të qartë politike ndaj pushtetit.
Pula, përmes një shkrimi me titullin “Vokacioni opozitar”, ka thënë se opozita nuk ka nevojë vetëm për një kandidat që mund ta mposhtë liderin e pushtetit, por për një figurë që t’u japë qytetarëve arsye për ta votuar.
Sipas tij, kritikat ndaj pushtetit nuk mjaftojnë, nëse opozita nuk ofron një projekt dhe diskurs alternativ. Ai vlerëson se ndarja e opozitës dhe mungesa e strategjisë po e dobësojnë atë si alternativë qeverisëse.
“Çdo gabim të pushtetit, opozita duhet ta shndërrojë në ofertë politike”, ka shkruar Pula.
Shkrimi i plotë:
VOKACIONI OPOZITAR
Opozita ka nevojë jo vetëm për një kandidat që mund ta mundë liderin e pushtetit, por për një figurë që mund t’i japë qytetarit votues një arsye për ta votuar atë. Kur ky vokacion i mungon opozitës, problemi nuk është elektoral por krizë lideri.
Partitë politike, kudo, që i lidh qeverisja me akuza për hajninë (korrupsionin), nepotizmin apo dështimet institucionale, e kanë të vështirë të flasin bindshëm për ndryshimin. Dhe kjo në thelb ka të bëjë me krizë besueshmërie.
Kritika se “pushteti po gabon” nuk mjafton. Pyetja që qytetari votues e bën është: “nëse jo ky pushteti, çfarë ofroni ju opozita?”, dhe kjo i referohet mungesës së diskursit politik alternativ.
Opozita shpesh duket sikur e përcakton veten përmes asaj çka bën pushteti, në vend që të ofrojë projekt të saj politik! Kështu pushteti vazhdon të përcaktoj debatin publik, ndërkaq opozita mbetet reaktive.
Sulmet ndaj pushtetit mund të mobilizojnë militantët partiakë opozitarë, por jo domosdoshmërisht e bindin qytetarin e pavendosur. Kjo përbën kritikë pa strategji.
Kur opozita është e ndarë, qytetari nuk mund ta shohë atë si alternativë qeverisëse, por si grupe interesash që konkurrojnë mes vete. Dhe kjo shkakton fragmentim të opozitës.
Dobësia vokacionale opozitare.
Pushteti mund të ketë avantazh sepse e kontrollon diskursin politik, ndërsa opozita mund të ketë argumente kundër pushtetit, por nëse nuk arrin t’i kontrolloj diskursin e alternativës, mbetet në mbrojtje. Prandaj çdo gabim të pushtetit, opozita duhet t’i shndërrojë në ofertë politike.
Nëse për pushtetin mund të thuhet se paaftësia e opozitës është bërë metodë fitoreje politike, pikërisht, dështimi opozitar qëndron te forca e saj që i mungon si alternativë.
Kur kritikën e bën pa strategji dhe pa diskurs alternativ ndaj pushtetit, atëherë pushteti arsyeton qëndrimin e tij edhe përmes dobësisë opozitare.
