Lajme

Kriza për president ‘shkund’ skenën politike, Salihaj paralajmëron zgjedhje të reja në Kosovë

Tre subjektet kryesore politike në Kosovë duket se janë larg arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, duke bërë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Kjo pasi, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, dështuan që të arrinin një marrëveshje të hënën, ndërkaq disa orë më vonë, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, tha se e konsideron “të përmbyllur” kontributin e saj sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

E në lidhje me atë se çka e pret vendin, pas 28 prillit, për “Bota sot” foli ish-deputeti Adem Salihaj.

Image
Adem Salihaj.

Fillimisht, ai tha se ndonëse shteti ka hyrë në fazën e fundit të afatit kushtetues, partitë politike kanë dështuar të gjejnë zgjidhje për presidentin.

“Kosova po hyn me shpejtësi dhe në mënyrë dramatike në fazën e fundit të afatit kushtetues pa e zgjedhur presidentin.

Nga prononcimet e kryetarëve të partive LDK, PDK dhe VV, nuk ka asnjë shenjë inkurajuese për këtë. Në vend të kësaj, e gjithë lufta propagandistike po bëhet se kujt do t’i mbetet faji për moszgjedhjen e presidentit”.

Krahas kësaj, ai tha se, fatkeqësisht nuk ka sinjale se situata mund të ndryshohet deri në përfundimin e afatit, ndonëse zgjidhje për këtë ka.

Më tej, ish-deputeti vlerëson se ndonëse është alternativa më e keqe, vendi fatkeqësisht po shkon drejt zgjedhjeve.

“Kanë mbetur edhe vetëm pak ditë dhe nuk shihet asnjë zgjidhje në horizont, por zgjidhje ka. Problemi qëndron te barrikadimi i partive politike që me çdo kusht presidenti të jetë nga partia e tyre. Kjo qasje çoi në dështim të plotë të procesit.

Tashmë po bëhet e qartë se po shkojmë në zgjedhje të reja. Kjo është alternativa më e keqe, sepse në mënyrë kronike po bëhemi shtet me institucione jo të qëndrueshme. Përgjegjësia është e të gjithëve, jo vetëm e një partie politike”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme