Lajme

Kryeministri Kurti takohet me Hamzën, një ditë para seancës së Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, është parë të dielën duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi është zhvilluar një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare lidhur me temat e diskutuara mes tyre.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të tjerë politikë, në kuadër të zhvillimeve të fundit politike në vend.

Takimet me liderët opozitarë zhvillohen një ditë para seancës së Kuvendit, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj, si dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së.

Ndërkohë, PDK-ja ka proceduar në Kuvend edhe kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ende nuk dihet nëse kjo çështje do të përfshihet në rendin e ditës së seancës së nesërme.

Seanca e Kuvendit mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar me vonesë, ndërsa ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Të Ngjashme