Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ) dhe Qendrën Ndërkombëtare për Rikthimin e Pasurive (ICAR), me synim forcimin e përpjekjeve për gjurmimin, identifikimin dhe rikthimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme që i përkasin Republikës së Kosovës.
Në komunikatën për media thuhet se marrëveshja, e nënshkruar në formë elektronike me drejtoreshën Ekzekutive të IBQ-së, Elizabeth Andersen, dhe drejtorin e ICAR-it, Iker Lekuona, synon të avancojë bashkëpunimin në rikthimin dhe riatdhesimin e pasurive të përfituara përmes korrupsionit ose formave të tjera të abuzimit me pushtetin, të cilat ndodhen jashtë vendit.
Sipas Prokurorit të Shtetit, marrëveshja do të lehtësojë bashkëpunimin me autoritetet e shteteve të tjera për gjurmimin, identifikimin dhe ndjekjen e pasurive të paligjshme, duke rritur efikasitetin në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, Instituti i Bazelit për Qeverisje do të ofrojë mbështetje strategjike dhe profesionale për Prokurorin e Shtetit në çështjet e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit ndërkombëtar.
