Aktuale

‘Kthesa e fortë’/ Euro fiton terren ndaj Lekut brenda javës

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka mbyllur javën në rritje. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 91.97 lekë, duke fituar afërsisht 0.5 lekë krahasuar me të enjten. Ky është niveli më i lartë i kursit të këmbimit Euro-Lek në dy javët e fundit.

Sipas agjentëve të tregut, rritja e forta afatshkurtra të Euros në përgjithësi janë të lidhura me operacione të veçanta të blerjes së valutës në shuma të mëdha.

Rritja në mënyrë të papritur e kërkesës në treg zakonisht shoqërohet me një mbiçmim të shpejtë ditor të Euros.

Ky është një fenoment që është vërejtur disa herë në kursin e këmbimit gjatë viteve të fundit. Megjithatë, zakonisht kjo rritje është afatshkurtër dhe amortizohet nga tregu në harkun e pak ditëve, pikërisht sepse është e lidhur me operacione sporadike të blerjes dhe zakonisht nuk reflekton një kërkesë me bazë të gjerë.

Nga ana tjetër, një korrektim i lehtë në rritje i kursit pas përfundimit të sezonit veror mund të jetë i pritshëm. Kjo ka qenë e zakonshme në vitet e mëparshme, por zakonisht tendenca ka nisur më herët, qysh me kalimin e pikut të sezonit. Këtë vit rënia e Euros ka vijuar e pandërprerë edhe gjatë muajit shtator dhe një korrektim i lehtë nga nivelet minimale historike të shtatorit mund të pritet në vazhdim.

Edhe gjatë vitit 2026 Euro ka vijuar tendencën afatgjatë rënëse në kursin e këmbimit me Lekun, madje me ritme edhe më të shpejta krahasuar me vitin e kaluar. Rënia vjetore e kursit këtë muaj ka arritur pranë nivelit maksimal vjetor prej 6%.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, një efekt shtesë duket se ka ushtruar edhe suficiti i bollshëm fiskal, që ka ulur ofertën e Lekut në treg. Për 8-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 61.6 miliardë lekëve, në rritje me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

Të Ngjashme