Lajme

Llapi e dha mesazhin: “Lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset”

Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta ndryshojë qëndrimin që populli dukur i shtypur i Kosovës e ka për luftën e UÇK-së.

Ky është mesazhi që u përcoll në protestën e organizuar, të premten në Podujevë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Veteranë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën për të kundërshtuar aktgjykimin, duke kërkuar unitet dhe duke shprehur mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë protestës u rikujtuan edhe viktimat civile dhe pasojat e luftës në rajonin e Llapit, ndërsa u tha se këto fakte nuk mund të ndryshohen nga vendimet gjyqësore.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë, e pastër dhe çlirimtare”.

Bulliqi: Ai vendim i padrejtë nuk mund të na lëkund bindjen se lufta e UÇK-së ishte e drejtë

“Ai vendim i padrejtë nuk mund të na lëkund bindjen se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Të vetmit ata që kryen krime në këto troje ishin okupatoret serb të udhëhequr nga kryekrimineli, Sllobodan Millosheviqi. Çdo përpjekje për të barazuar krimin e forcave serbe në Kosovë me luftën çlirimtare të djem e vajzave tona, përveç e padrejtë është edhe absurde. Prandaj, jo në emrin tim. Vetëm në rajonin e Llapit kemi qindra viktima civile të pafajshme, në mesin e tyre, gra, fëmijë e pleq. Dhjetëra, mijëra shtëpi të rrënuara totalit. Prandaj, nëse do të duhej të gjykohen krimet në baza etnike kjo do duhet të vlente për Serbinë dhe jo për Kosovën. Këto fakte nuk mund të zhbëhen, as ky vendim i padrejtë i kësaj gjykate dhe asgjë nuk mund të njollosë luftën e pastër të UÇK-së. Jemi të bindur se ish krerët e UÇK-së do të fitojnë edhe këtë betejë. Dikur ata luftuan për lirinë e këtij populli, sot ne jemi bashkë për lirinë e tyre”, ka thënë Bulliqi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Rafet Llapashtica, tha se brezat e rinj duhet ta njohin sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës.

Llapashtica: Sot kur flasim për UÇK-në, flasim për rrugën e gjatë drejt lirisë

“Brezi i cili nuk e njeh sakrificën e të parëve të vet rrezikon të mos e kuptojë vlerën e lirisë. Sot kur flasim për UÇK-në, flasim për rrugën e gjatë drejt lirisë, për ata që luftuan kundër krimineleve, që erdhën këtu në vendin tonë të dhunonin e të vrasin, flasim për UÇK-në që ishte zëri i popullit. Flasim për një familje dhe për një nënë, e një baba që shpresoj, për një fëmijë që mbeti pa përqafimin e prindit që kriminelet serb ja vranë. Flasim për një fëmijë që sot shkon i qet në shkollë. Jemi bashkuar t’i tregojmë çdokujt se vitet mund të kalojnë, brezat mund të ndryshojnë , por, mund të ndryshojnë edhe kohët, por, çmimi që pagoi populli ynë për liri nuk ndryshon dhe nuk zbehet asnjëherë…Si çdoherë, por, edhe sot, si kurrë më shumë, kemi për detyrë që dallimet tona të mos na bëjnë armiq, sepse Kosova ka nevojë të jemi të bashkuar, sepse, UÇK-ja na ka bashkuar në luftë e na bashkon edhe sot sikur atëherë”, ka thënë ai.

Në emër të shoqërisë civile, Rexhep Zeka tha se aktgjykimi duhet të kundërshtohet përmes mobilizimit qytetar.

Zeka: Jemi këtu sepse besojmë se asnjë vendim nuk mund të ndryshojë të vërtetën

“Në atë Gjykatë nuk janë duke u dënuar individë, në atë gjykatë është duke u dënuar UÇK. UÇK e cila është mbi secilën nga ne, mbi secilën parti që ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë në të ardhmen. UÇK është drita e syve tanë, nëpërmes të cilës ne sot e gëzojmë lirinë. Andaj, e kemi obligim secili qytetar të bëjë diçka për këtë padrejtësi që ju ka bërë shtetit tonë. Të mblidhemi në protesta dhe të gjithë njëzëri të themi, Jo në emrin tim. Jemi këtu sepse besojmë se asnjë vendim nuk mund të ndryshojë të vërtetën që jeton në kujdesën e një populli, nuk mund të fshihet sakrifica që është bërë për këtë vend”, ka thënë ai.

Protesta e Podujevës është vetëm njëra nga shumë që u organizuan të premten nëpër qytetet e Kosovës nga ana e OVL të UÇK, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale. Kjo, në kuadër të një mobilizimi masovik, që po shënohet me tubime të përnatshme në Prishtinë, por edhe me reagime të Kuvendeve komunale gjithandej vendit. 

Të Ngjashme