Autoritetet e Malit të Zi kanë njoftuar se të enjten në Portin e Tivarit kanë ndaluar edhe një kontejner me mish viçi të skaduar, i destinuar për Kosovë.
Në njoftimin e Drejtorisë së Doganave të Malit të Zi thuhet se kontejneri ishte i destinuar për kompaninë nga Kosova “Apetiti SHPK” dhe përmbante 1 mijë e 321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24 mijë e 650 kilogramësh.
Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj 2026.
Për gjendjen e konstatuar janë njoftuar menjëherë inspektori veterinar dhe Drejtoria e Policisë, të cilët janë përfshirë në procedurat e mëtejshme në kuadër të kompetencave të tyre.
Kjo është hera e dytë brenda 10 ditësh që në këtë port ndalohet mish i kësaj kompanie, pasi edhe më 15 shtator autoritetet e Malit të Zi raportuan se kishin ndaluar tre kontejnerë me mish viçi, me peshë të përgjithshme bruto prej 77 mijë e 841,03 kilogramësh.
Sipas Doganës së Malit të Zi, në atë rast ishte konstatuar se deklaratat origjinale me afat të skaduar ishin hequr dhe më pas ishin zëvendësuar me deklarata ku afati i përdorimit ishte shënuar ndryshe.
Mishi nga tre kontejnerët do të asgjësohet pas përfundimit të formaliteteve të tjera ligjore.
Dogana e Malit të Zi ka bërë të ditur se, përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konstatuar se parregullsi lidhur me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit. Informacionet e mbledhura janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente.
Për këto raste është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, në mënyrë që administratat e tjera doganore të informohen për këtë mënyrë të tentimit të shpërndarjes së mishit.
Sipas Doganës së Malit të Zi, në dy rastet është ndaluar tranziti i mishit të viçit me peshë të përgjithshme bruto prej 102 mijë e 491,03 kilogramësh, përkatësisht gati 103 tonë.
