Lajme

Kurti bisedon me kryeministrin e Kanadasë, në fokus marrëdhëniet mes dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, sigurinë dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, shkruan “Bota sot”.

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar kryeministrin kanadez për miqësinë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur veçanërisht mbështetjen e Kanadasë gjatë vitit 1999, kur ky shtet pranoi mijëra refugjatë nga Kosova, si dhe pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, kontributin në rindërtimin dhe zhvillimin e vendit dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Postim i plotë:

Në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), u takova me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney.

Biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, për sigurinë dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. E falënderova për miqësinë dhe përkrahjen e Kanadasë për vendin tonë, për pranimin e mijëra refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, për pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, për kontributin në rindërtim dhe zhvillim, për njohjen e pavarësisë dhe për mbështetjen në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Këtë vit në mars, Kosova me një delegacion qeveritar ishte pjesë e Konventës së Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC) në Toronto, një nga ngjarjet më të mëdha botërore për sektorin e minierave.

Kanadaja, shtet anëtar i NATO-s dhe i G7, është mike dhe partnere e rëndësishme për sigurinë, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta.

Të Ngjashme