Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, do të bëjnë nesër homazhe te memoriali “Kosova kujton”, i cili është ngritur në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit për media, ceremonia përkujtimore do të zhvillohet nga ora 09:00 në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Memoriali “Kosova kujton” shërben si simbol i solidaritetit dhe kujtesës për mijëra viktimat e sulmeve të 11 shtatorit 2001, të cilat tronditën Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën.
Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pritet të deklarohen për media, ku do të mund të flasin për rëndësinë e kësaj dite përkujtimore dhe mesazhin e solidaritetit të Kosovës me popullin amerikan.
