Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar Nënë Terezën në 29-vjetorin e vdekjes së saj, duke vlerësuar kontributin dhe trashëgiminë e saj universale.
Kurti njoftoi se në këtë përvjetor u promovua libri “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, nga autorët Skënder Asani dhe Albert Ramaj.
Ai e cilësoi Nënë Terezën si simbol të humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë, duke theksuar se ajo “u shndërrua në urë, jo në mur”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Edhe tri dekada pas vdekjes së saj, ende gjejmë gjëra për të mësuar nga jeta e Nënë Terezës për njerëzoren e për dashurinë, për paqen e për bamirësinë.
Në 29 vjetorin e ndarjes nga jeta dhe vjetorin e shenjtërimit nga Papa Françesku të Gonxhe Bojaxhiut promovuam veprën “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, të autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj.
Shën Nënë Tereza ishte një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, që ia kushtoi jetën njerëzimit dhe u bë simbol universal i humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për tjetrin.
Kjo vepër sjell dëshmi, dokumente, letra e fotografi që ndriçojnë rrugëtimin e Gonxhës nga familja shqiptare në Shkup, me prindër nga Prizreni e Gjakova, deri te Nënë Tereza universale. Siç e kam theksuar edhe në parathënie: ajo u shndërrua në urë, jo në mur.
Faleminderit autorëve për këtë kontribut të çmuar, që pasuron kujtesën dhe dokumentimin e jetës së një prej figurave më të ndritura që i ka dhuruar shqiptaria botës.
